Nga Janusz Bugajski*
Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor pati më shumë simbolikë sesa substancë, megjithëse simbolizmi është gjithashtu i rëndësishëm në politikat ndërkombëtare.
Fakti që si Kancelarja Angela Merkel, ashtu dhe Presidenti Emmanuel Macron u takuan me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor synonte të demonstronte angazhime të reja të BE-së në rajon. Por, mungesa e vendimeve konkrete ka gjasa të gjenerojë cinizëm rreth rezultateve të këtij samiti, por edhe rreth të takimeve të ardhshme.
Tradicionalisht, samitet e mëdha ndërkombëtare mbahen kur është arritur një marrëveshje mes krerëve të shteteve dhe takimi thjesht mundëson ndjekjen e protokolleve të rëndësishme dhe nënshkrimin e dokumenteve. Në rastin e samiteve të Ballkanit Perëndimor, një proces i nisur nga Berlini në vitin 2014 për të rritur bashkëpunimin dhe sigurinë rajonale, shumë pak marrëveshje janë arritur në avancë. Si rezultat, rriten pritshmëritë se vetë samiti do të sjellë rezultate konkrete dhe kjo nga ana tjetër mund të krijojë zhgënjime.
Berlini mund të mburret me të paktën një arritje simbolike të Samitit: Prania e dy liderëve, gjerman dhe francez nënvizoi faktin se Parisi tani është një aktor i rëndësishëm në procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Ishte gjithashtu një takim i rëndësishëm për Macron dhe Merkel për të shfaqur një front të bashkuar pas tensioneve të fundit mes tyre mbi të ardhmen e BE dhe konturet e politikave ekonomike të Europës.
Megjithatë mangësitë e këtij samitit ishte më të dukshme. Edhe pse Serbia dhe Kosova ranë dakord që të rinisin bisedimet “konstruktive”, ka pak optimizëm që këtë vit të ketë një normalizim të marrëdhënieve. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me të drejtë theksoi se asnjë marrëveshje përfundimtare dypalëshe nuk mund të arrihej pa praninë e Shteteve të Bashkuara, sepse BE është shumë e dobët dhe e përçarë për të zgjidhur problemet ose të implementojë një zgjidhje në Ballkanin Perëndimor.
Megjithëse, Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë të nxisin Serbinë dhe Kosovën për dialog, takimi i ardhshëm i negociatorëve do të mbahet në Paris në fillim të korrikut.
Berlini gjithashtu nuk arriti të zgjidhë mosmarrëveshjen e taksës, pas vendimit të Prishtinës nëntorin e shkuar për të vendosur taksën 100% ndaj mallrave serbe si shenjë hakmarrje ndaj Beogradit për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Zyrtarët e Kosovës këmbëngulin që tarifa do të hiqet vetëm nëse Beogradi njeh pavarësinë e vendit.
Nga ana e tij, Berlini dërgoi një mesazh të fortë kundër çdo shkëmbimi territori mes dy protagonistëve. Kjo duket se bie ndesh me disa sinjale që Uashingtoni ka dërguar gjatë muajve të fundit. Megjithëse vetëm mund të spekulojmë për bisedat private, shumë shpejt u përhapën thashetheme se pas dyerve të mbyllura janë dhënë mesazhe të forta, se nuk mund të ketë ndryshime të kufijve në rajon dhe se multi-etniciteti duhet të mbrohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Një tjetër dështim i samitit: Aspiratat e Maqedonisë së Veriut për BE bënë shumë pak progres pavarësisht se marrëveshja historike mes Shkupit dhe Athinës u vlerësua gjerësisht nga BE.
Shkupi nuk mori një sinjal të qartë nga Franca, e cila mbetet skeptike rreth zgjerimit të BE në Ballkan, në lidhje me datën e hapjes së bisedimeve për pranimin në BE. Merkeli u duk se bëri një përmbledhje të prishtmërive të pakta dhe rezultateve të dobëta simbolike kur tha se “samiti nuk ishte për marrjen e vendimeve, por për të pasur një bisedë të përbashkët dhe të sinqertë”.
Për Shqipërinë, Samiti i Berlinit pati pak vlerë konkrete. Merkel dhe Macron e bënë të qartë se ka pak mundësi për çdo aspirant të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar BE-së, derisa të përfundojnë reforma të gjera, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit. Paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike e Shqipërisë dhe protestat publike sigurisht që nuk e ndihmojnë vendin në aktivizimin e ofertës së anëtarësimit. Tirana nuk ka gjasa që të marrë miratim për të filluar zyrtarisht bisedimet e pranimit këtë vit.
Një samit akoma më i gjerë, i gjashti i përvitshëm, do të mbahet në Poznan të Polonisë më 4-5 korrik. Takimi është planifikuar që të ndiqet nga kryeministrat, ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Ekonomisë të 6 vendeve ballkanike aspirante për BE, dy anëtare të BE (Kroacia dhe Sllovenia) dhe disa anëtare të tjera të BE si Austria, Franca, Gjermania dhe Italia ashtu si dhe përfaqësues nga institucione financiare ndërkombëtare.
Agjenda e Poznanit duket ambicioze dhe përfshin diskutime mbi investimet ekonomike, lidhjet ndërshtetërore, rinore dhe kulture, zhvillimin e shoqërisë civile dhe sigurinë rajonale. Por shpesh herë një axhendë e gjerë është thikë me dy presa pasi çdo çështje trajtohet cekët. Mbi të gjitha do të ketë shumë skepticizëm nëse në takimin e ardhshëm substanca do të prevalojë mbi simbolizmin.
Ekskluzive Dita