Prej tre ditësh, në facebook-un e tij personal, Alfred Peza ka nisur nën okelion “Game of Thonë”, një seri provokative shkrimesh, për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. “Game of Thonë” duket si një lojë fjalësh, që të sjellin menjëherë në mendje titullin e serialit epik që po ndiqet në televizionet e rreth 200 vendeve të botës, “Game of Thrones”.
Siç e shpjegon vetë Peza, ky cikël i përditshëm i publicistikës politike që kanë nisur më 1 maj në formën e një “telenovele”, do të na ndjeki deri në 30 qershor. Por, nisur nga përvoja e tij e shkuar me librin “Ditari i 23 Qershorit”, nuk është çudi që shkrimet të vijojnë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme lokale.
Siç dihet, mazhoranca qeverisëse e kryeministrit Edi Rama, është deklaruar e vendosur për ti zhvilluar zgjedhjet, pavarësisht se një koalicion partish rreth PD dhe LSI, kanë deklaruar se do ti bojkotojnë ato. Pas diegies së mandateve të deputetëve dhe daljes nga sistemi Parlamentar, opozita e vjetër tradicionale, rrezikon daljen përgjithmonë nga sistemi politik në Shqipëri.
Ashtu si “Game of Thrones” edhe “Game of Thonë” i Pezës, ka në qendër të saj temën e pushtetit dhe përfaqësimit politik. Provokimi qëndron në faktin se analisti dhe politikani, pyetjen që shtrohet në serialin e famshëm bazuar në telenovelat e George R. R. Martin se kush duhet ti qeverisë “7 Mbretëritë” në botën e fantazuar të Uesteros, i përgjigjet me shqiptarizimin e saj.
Në qendër të shkrimeve të Pezës, pritet të jenë “7 Mbretërit” e politikës shqiptare në Ballkan: Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta (+Monika Kryemadhi) në Shqipëri. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj në Kosovë dhe Ali Ahmeti në Maqedoni. E ashtu si në film, edhe në serialin e tij të shkrimeve, Peza premton se do të na zbulojë çdo ditë prapaskenat e “Luftës së Fundit” për të sunduar “Fronin e Shpatave” shqiptare! Alpenews.al