Astrit Patozi ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur rreth projektit të tij më të ri politik.
Gjatë bisedës me Ylli Rakipin në studio, Patozi ka deklaruar se “Bindja është krijuar si një parti politike, model për t’i ngrënë kokën Edi Ramës”.
I pyetur nëse mund të ndodhë që Rama t’i japë vota edhe Patozit, për shkak se ka nevojë për një opozitë fallco, ai sjell në kujtesë zgjedhjet e 1996 duke u shprehur se: “Pse në 96 morën vota ata?”.
Ndërsa për problemet e brendshme të Partisë Demokratike, Patozi ia hedh fajin ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij ishte pikërisht Berisha që shkaktoi një krisje brenda PD-së në 2013.
I pyetur nëse do të bënte pjesë të “Bindjes” figurat e vjetra të PD-së Patozi shprehet se “ka biseduar me ta. Nuk më ka thënë askush jo. Është një projekt që sapo ka nisur. Jemi të gjithë të përkohshëm. Deri në 30 qershor, çdo njeri mund të bashkohet.”
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Ju thoni se keni folur brenda partisë, por keni një jetë në PD. Kur Berisha ishte në pushtet ju nuk keni folur kurrë për qeverisjen e tij dhe problemet e rënda në qeverisjen e tij. Në atë kohë ju nuk kishit ndonjë interes për problemet e demokracisë së brendshme në PD?
Patozi: Ju bëni një gabim, ju kërkoni që njeriu të jetë edhe në opozitë edhe në pushtet. Unë atëherë kam qenë pushteti. Mendimet e mija të ndryshme, ia kam thënë edhe Berishës vërejtjet personalisht.
Rakipi: Duket sikur të gjithë problemet e brendshme në PD kanë ndodhur për shkak të Bashës.
Patozi: Kam thënë se fillimi i humnerës së PD ka qenë 2013. Berisha ishte shkaktari që krijoi një krisje në PD, e cila nuk është mbyllur akoma.
Rakipi: Keni ftuar në parti Jozefina Topallin dhe Arben Imamin?
Patozi: Kur bëhet një parti poltike, nuk është si dasëm, që po nuk thirre hallat i ngel hatrin.
Rakipi: Po motrat, vëllezërit, nëna, babai, këta marrin pjesë në dasëm.
Patozi: Kam biseduar me ta. Nuk më ka thënë askush jo. Është një projekt që sapo ka nisur. Jemi të gjithë të përkohshëm. Deri në 30 qershor, cdo njeri mund të bashkohet. Kjo parti ka lindur nga ata burra dhe gra, kryesisht për ti hëngër kokën Edi Ramës si model, jo si person.
Rakipi: Edi Rama mund t’ju japë vota edhe ju.
Patozi: Pse në 96 morën vota ata?
Rakipi: Po Rama ndan vota, Saliu i donte të gjitha për vete.
Patozi: Të gjithë qeveritë në Shqipëri kanë një difekt, jo vetëm marrin atë që ju takon por edhe atë që nuk ju takon.
Rakipi: Ju do të merrni pjesë në zgjdhjet lokale. Keni në dispozicion më pak se dy muaj kohë. Si mund të keni ju kaq fuqi?
Patozi: I vetmi kundërshtar që kemi, është koha. Nuk themi sa të mëdhenj do jemi. Po themi na prisni, të japim rezultat.
Rakipi: Nuk dyshoj në ndershmërinë tuaj, por përballë kemi një njeri, Ramën, që ka nevojë për opozitë fallco. Është gati ti japë edhe vota atij.
Patozi: Ky nuk është halli im dhe as problem im. Unë kam dalë në garë, duke patur parasysh që të gjithë do garojnë.