Pas Aleancës për Shqipërinë Europiane me në krye Partinë Socialiste, një tjetër koalicion është regjistruar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në KQZ është regjistruar një koalicion i dytë me 7 parti me emrin “Shpresa për Ndryshimin”. Ky është koalicioni opozitar që regjistrohet në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit dhe do të garojë përballë maxhorancës për 12 bashki të vendit.
“Të vetëdijshëm se rruga e vetme kushtetuese për përtëritjen dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike është pjesëmarrja në proceset e saj zgjedhorë,
të shqetësuar se rrethanat politike të tanishme në Shqipëri po ndikojnë për krijimin e një klime mosbesimi në vlerat e institucioneve demokratikë,
Ne si një grup i partive politike opozitare kemi vendosur së bashku për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore si koalicion me emërtimin ‘Shpresa për Ndryshimin’.
Nëpërmjet kësaj letre, partitë politike të poshtëshënuara po i drejtohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e tyre si koalicion në zgjedhjet e ardhshme vendore” thuhet në kërkesën e partive, disa prej tyre ish-aleate të PD.
PARTITË
Aleanca Kuq e Zi
Bashkimi Liberal Demokrat
Demokracia e Re Europiane
Aleanca Popullore
Partia Balli Kombëtar
Partia Emigracioni Shqiptar
Partia Ora e Shqipërisë
/a.meta