Nga Mero Baze/
Çështja e Marrëveshjes Kosovë- Serbi është kthyer në “sport kombëtar patriotësh”, të cilët në përpjekje për të denigruar aktorët e kësaj historie, janë duke i lartësuar ata. Është fjala pikërisht për mënyrën se si e shikojnë “shqiptarët patriotë” opozitarë, skenarin e Marrëveshjes Serbi- Kosovë, bazuar tek shkëmbimi i territoreve dhe si e shikojnë Gjermania dhe Franca, të cilat po lavdërohen se po shpëtojnë Kosovën.
Personalisht jam ndër të parët gazetarë që e kam kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve, qysh në frazat e para të lëshuara nga Presidenti Hashim Thaçi.
http://www.gazetatema.net/2018/08/26/papergjegjesia-e-kosoves-ndaj-kufijeve-te-saj/
http://www.gazetatema.net/2018/08/12/perse-perendimi-po-tradhetohet-nga-kosova/
http://www.gazetatema.net/2018/08/10/eshte-trump-dhe-jo-soros-ose-shba-qe-mungon/
Kam bindjen time për këto qëndrime, që kanë arsye të ndryshme nga këto të ”patriotëve” opozitarë të orëve të fundit në Shqipëri.
Për aq sa e njoh dhe ndjek Kosovën prej gati 30 vitesh si gazetar, e di se është e rrezikshme të rivizatohen kufijtë mbi baza etnike, pasi ky ka qenë shkaku i luftrave të përgjakëshme të viteve ’90.
Po ashtu është e rrezikshme të besosh, se liderët e shteteve etnikisht të pastra do të sjellin më shumë begati dhe paqe në këtë rajon, ndërkohë që e kundërta ka dhjetra herë më shumë shanse.
Por mbi të gjitha është e rrezikshme të krijojmë një precedent të ndryshimit të kufijve për orekse etnike, pasi do të fusim Ballkanin në një spirale destabilizimi që nuk dihet ku përfundon.
Ata që sulmojnë Edi Ramën, Hashim Thaçin dhe sidomos ata që nuk e di përse e lavdërojnë Hardinajn në këtë histori, në fakt nuk flasin për rrezikim të vlerave Perëndimore nga ky proces, por për humbje ose mbrojtje territoresh. Është qesharake deri në bezdi të dëgjosh njerëz që betohen për tokë, në këtë rast për Veriun e Kosovës, si për “Tokën e Shenjtë” dhe flasin me të njëjtën gjuhë dhe patetizëm që fliste Milosheviçi, kur thoshte në vitin 1987 se “Kosova është djepi i Serbisë” dhe ai s’do ta lëshonte kurrë.
Qasja e tyre ndaj marrëveshjes Serbi- Kosovë, është anti-Perëndimore dhe bazohet tek koncepti i territorit që duhet mbrojtur dhe jo tek vlerat dhe parimet që nuk duhen prekur në Ballkan. Dhe në këtë pikë ata kanë një keqkuptim të madh me Merkelin, Macronin dhe gjithë establishmentin europian që nuk është dakord që Marrëveshja Serbi- Kosovë të arrihet mbi bazë shkëmbimesh territori, siç është dakord Presidenti Trump në Uashington dhe Mogherini në Bruksel.
Arsyeja pse Europa e kundërshton ndryshimin e kufijve, është se siç e thonë dhe vetë ata, fuqizohet faktori shqiptar, rritet fryma nacionaliste e shqiptarëve dhe krijohet një Shqipëri e Bashkuar me Kosovën.
Pra ata Perëndimorë, që po na shpëtojnë “Veriun e Kosovës” në fakt nuk kanë parasysh Edi Ramën dhe Hashim Thaçin si tradhëtarë, por si nacionalistë që duan një Shqipëri të Madhe, ndryshe nga “patriotët” shqiptarë që e konsiderojnë këtë si tradhëti. Janë krejt të keqkuptuar me ëngjejt tanë mbrojtës në Europë.
Pra ajo pjesë e Perëndimit që është kundër shkëmbimit të territoreve, është në fakt e frustruar nga ideja që shqiptarët mund të bashkohen pas kësaj, dhe jo nga ideja se shqiptarëve po u shkëputen disa fshatra serbë në Veri të Kosovës dhe po u jepen disa fshatra shqiptarë në Jug të Luginës.
Ndaj kur të duartrokisni për qëndrimin e Europës, tentoni të jeni europianë dhe jo “patriotë me bateri” të karikuara nga Berisha.
Nëse ka një hije të errët në skanerin që bën Europa mbi Edi Ramën e Hashim Thaçin në këtë histori, është pikërisht dyshimi, që ndërsa shfrytëzojnë mbështetjen e Presidentit Trump dhe Mogherinit për një Marrëveshje me Serbinë, planifikojnë një bashkim ndërshqiptar.
Në fakt sensi i shkëbimit të territorit në këtë proces, duhet kundërshtuar, jo për Veriun e Kosovës apo fshatrat e Luginës që na premtojnë. Mund të më thoni çfarë të doni, por nuk kam ndonjë ndjeshmëri për territorin e quajtur Veriu i Kosovës, as për katër katundet e Luginës.
Marrëveshja e shkëmbimit të territoreve, nuk duhet kundërshtuar për territoret, por për problemet që sjell koncepti i shtetit etnik, efekti zinxhir rajonal, dhe prodhimi i liderëve nacionalistë që në Ballkan rriten dhe duke ujitur lulet.
Pra marrëveshjen me bazë shkëmbimin e territorit duhet ta kundërshtojmë, se mund të jemi më të pasigurtë nga liderë nacionalistë, që do na qeverisin, se sa nga liderë të kushtëzuar të bëjnë marrëveshje dhe paqe mes popujve.
Prandaj kur shani Edi Ramën, por dhe Hashim Thaçin, se po duan të korrigjojnë kufirin, si tradhëtarë, kini parasysh se Merkeli po i frenon si nacionalistë. Europa shikon tek kjo histori një Shqiëpri të Bashkuar dhe një valë nacionalizimi shqiptar në rritje, ndaj po e frenon. Ndaj mos ja bëni këtë nder Edi Ramës apo Hashim Thaçit, duke i sulmuar për tradhëtarë për të njëjtën çështje që disa liderë Perëndimorë i sulmojnë si njerëz që po bashkojnë trojet. Përpiquni të jeni kritikë me ta, si liderë të këqinj, nëse na qeverisin si “Baballarë të Kombit”. Sidomos kur të na sundojnë në emër të Kombit.