Shtyhet për të disatën herë seanca ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë të akuzuar si pjesë e bandës së tij.
Seanca e planifikuar sot në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda nuk është zhvilluar dhe shkak për këtë është bërë mosformimi i trupit gjykues.
Më herët mbrojtja e Shullazit dhe Zelës kanë bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares dhe gjatë ditës së sotme kërkesa është pranuar.
Më tej, Gjykata Apelit për Krime të Rënda do ti drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për të plotësuar trupin gjykues.
Me ndryshimin e trupës gjykuese procesi fillon nga fillimi dhe nuk merren për bazë vendimet e marra në seancat e mëparshme gjyqësore.
Me kërkesë të prokurorit të çështjes, Isa Jata, është bërë pezullimi i afateve të paraburgimit për të pandehurin Gilmando Dani.
Në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë për përvetësim pasurie, kërcënim, e grup të strukturuar kriminal Emiljano Shullazin, i cili u dënua me 14 vjet burg.
Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg. Grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit ndaj rektorit të UT.
/a.r