Ky është ish-Kampi i Pionerëve në Malin e Dajtit. Çdokush që viziton Dajtin, i bie në sy kjo godinë e braktisur. Dikur këtu kalonin muajt e verës qindra fëmijë. Sot ajo nuk shfrytëzohet. Në inventarin që ka bërë qeveria shqiptare në vitin 2010 rezulton se kjo pronë i është dhënë Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Ndërsa sindikata e drejtuar nga Gëzim Kalaja ia ka dhënë me qira shoqërisë aksionere “DAJTEL”. Top Story ka zbuluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për themelimin e kësaj shoqërie. Ajo është krijuar me vendim gjykate me numër 40-96 dt 3/5/93. Aksionerët e kësaj shoqërie do të ishin Drejtoria e Përgjithshme e Shtëpive të Pushimit dhe një shtetas i huaj me emrin Gerard Hag. Aksionet ndaheshin 55 me 45 %, në favor të shtetasit të huaj.
Objekti i veprimtarisë do të ishte rinovimi, mirëmbajtja, administrimi i hoteleve dhe i tokës në Malin e Dajtit që kjo shoqëri ka në pronësi. Por, një vendim tjetër i gjykatës në vitin 2005 ka bërë disa ndryshime të kërkuara nga vetë kjo shoqëri.
Shoqëria “Dajtel” tashmë do të merrte pronarë të rinj. Shtetasi i huaj Gerard Hag, i kishte shitur aksionet e tij tek shtetasi shqiptar Agim Selimi. Ky i fundit bëhej pronar me 55% të aksioneve. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Shtëpive të Pushimit me një akt dhurimi i kishte kaluar aksionet e veta tek Sindikata e Pavarur e Punonjësve Civil, Mbrojtjes dhe Rendit Publik. Kjo sindikatë ishte pjesë Bashikimit të Sindikatave të të Pavarura të Shqipërisë, që drejtohet nga Gëzim Kalaja.
Top Story hulumtoi edhe vlerat financiare që do të qarkullonin në këtë shoqëri aksionere. Konkretisht në çfarë vlere llogaritej prona në fjalë dhe çfarë vlere kapte investimi që do të bëhej. Në aktin e themelimit të Shoqërisë DAJTEL, në dt 18/3.2005, tashmë më aksionerët e rinj jepen këto shifra. Aksionet që disponon aksioneri Agim Selimi, janë në 345 000 dollarë. Ndërsa aksionet që disponon Sindikata, janë në masën 280 000 dollarë. Por sindikata nuk i ka këto në vlerë financiare. Ajo i zotëron si aksione në natyrë dhe kanë si përbërje pallatin e madh të ish-Kampit të Pionerëve, vilën e malit të Dajtit dhe truallin me sipërfaqje 8 hektarë.
Imagjinoni se për çfarë pasurish bëhet fjalë në këtë rast. Vetëm ky kamp i vetëm kap shifra marramendëse prej miliona dollarësh. Pra, pronat që gëzuan sindikatat ndoshta janë pasuria më e madhe e shpërdoruar në Shqipëri, pas sistemit komunist.
Në emër të Sindikatës së Pavarur e Punonjësve Cilvil, Mbrojtjes dhe Rendit Publik, këtë akt themelimi e ka firmosur Presidenti i saj, zoti Pasho Zeneli.
Por, nëse shikojmë ekstraktin historik të shoqërisë dalin të tjera fakte tronditëse. Në datën 15 shkurt të vitit 2018, pra një vit më parë, shoqëria ka bërë disa ndryshime në statut.
Ndryshimi kryesor që të bie në sy është se janë larguar 3 anëtar të këshillit mbikqyrës: “Elona Babamusta”, “Pasho Zeneli” dhe “Kimi Drasa”. Anëtarët e rinj janë: Artjan Bylyku, Gëzim Kalaja dhe Agim Selimi.
Kjo tregon se në fakt kryetarët e sindikatave të veçanta nuk janë asgjë tjetër vetëm njerëz të komanduar nga kryetari i bashkimit të sindikatave. Në këtë rast zoti Gëzim Kalaja. Kjo godinë nuk u rikonstruktua kurrë, ndërkohë që shoqëria aksionere vazhdon të jetë aktive.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është kjo: Ku i gjen të ardhurat kjo shoqëri që të vahzdojë të ekzistojë? Si ka mundësi që një shoqëri e themeluar 25 vjet më parë, në fushën e hotelerisë, nuk punon asnjë ditë. Dhe përsëri vazhdon të ekzistojë. Përgjigja është e thjeshtë. Këto janë skema mashtruese dhe shoqëri fantazëm. Ato shërbejnë vetëm që krerët e sindikatave të mbajnë në duart e tyre pronat. Ato prona që supozohej se do tu shërbenin puntorëve të sindikatave për të pushuar falas ose me çmime të lira.
/a.meta