Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Shqipëria nuk mund të përfitojë hapjen e negociatave për shkak të standardeve që sipas tij, janë të nivelit afrikan.
“Me Edi Ramën nuk ka integrim në Evropë. Nuk mund të ketë hapje negociatash. Me këto standarde nuk mund të ishte as në Këshillin e Evropës. Këto janë standarde afrikane. Samiti i Berlinit është i qartë për të gjithë autokratët e Ballkanit, por edhe për njeriun më të korruptuar, Edi Rama, i cili sot synon të na kthejë 10 vite mbrapa duke na kthyer vizat. Fatkeqësisht edhe në këtë qershor, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat sepse edhe në fushën e ekonomisë, edhe në fushën e shtetit të së drejtës, ka hapa mbrapa”.
Deklaratat e tij po bëhen gjatë një takimi me të rinj në zonën e Farkës, në rrethinat e Tiranës.
Ai premtoi një të ardhme më të mirë, tek e cila shkohet vetëm duke “larguar qeverinë Rama” siç tha ai. Basha ashpërsoi gjuhën ndaj këtij të fundit kur e quajti “Përdhunuesi serial i zgjedhjeve shqiptare, që duhet të largohet njëherë e mirë”.
Ai tha se PD-ja nuk do të heqë dorë nga kushti i saj, për krijimin e një qeverie tranzitore, e cila do të mund të çojë më pas vendin në zgjedhje.
“Largimi i Ramës është i panegociueshëm për ne. Qeveria tranzitore është e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës poltike. Ne s’mund të ishim më fasada e teatrit të kriminelëve, e dëgjuam thirrjen tuaj dhe hodhëm një hap të paprecedentë, atë të djegies së mandateve”, shtoi kryedemokrati.
Më tej Basha shtoi se: “Duke çliruar ekonominë, qeverisjen nga krimi ne do të kthejmë mundësi për punësim, do i kthejmë bujqësisë, sektorit që punëson shumicën e shqiptarëve, jo thjesht shpresën, po do ju japim subvencione direkte pa nipt, pa burokraci, vetëm me kartë identiteti njësoj si Maqedonia e Kosova”.
/a.meta