Në Berlin kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, udhëheqësit e dy vendeve kryesore të Bashkimit Europian, konfirmuan të hënën, vëmendjen e tyre për Ballkanin Perëndimor, duke lënë megjithatë në hije, procesin e Zgjerimit. Presidenti Macron premtoi një riangazhim të vendit të tij në rajon “por sot duam të punojmë së bashku për stabilitetin e tij”, u shpreh ai duke shtuar se Parisi do të ndihmonte në reformat kyçe ekonomike, sociale, të sigurisë dhe të sundimit të ligjit, përpara se të flitet për zgjerim të BE-së.
Në prag të zgjedhjeve europiane, ku rreziku i një mbështetjeje në rritje për populistët është pas portës, udhëheqësit e vendeve të BE-së, evitojnë të promovojnë një politikë të zgjerimit. “Për momentin, lajmi nuk është politika e zgjerimit të BE-së por një politikë stabiliteti rajonal”, u shpreh Macron. “Ne kemi organizuar këtë iniciativë të përbashkët sepse jemi përqendruar në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por unë dua ta bëj shumë të qartë se sot nuk është çështja e bisedimeve të anëtarësimit. Për këtë, ka një procedurë që drejtohet nga Komisioni,” tha Kancelarja Merkel.
Megjithatë, ajo priti personalisht kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Të dy vendet shpresojnë që të marrin dritën jeshile në qershor. Pas takimit kryeministri Rama u tregua i kujdesshëm në njoftimin e shpërndarë për shtypin nga zyra e tij në Tiranë. “Në takim u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit maj. Kryeministri Rama e falënderoi Kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, shpjegonte komunikata e Qeverisë shqiptare.
Më entuziast u shfaq ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, pjesëmarrës në bisedime. “Takimi me Kancelaren Angela Merkel konfirmoi edhe një herë mbështetjen absolute të Gjermanisë për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në reformën në drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania”, shkruajti Cakaj në një postim në Facebook.
Edhe kryeministri maqedonas Zaev, ishte gjithashtu i përmbajtur. Në postimet e tij në Twitter, për takimin, ai shpjegonte se “me kancelaren Merkel konfirmuam se Maqedonia Veriore dhe Marrëveshja e Prespës janë një shembull pozitiv në Ballkan dhe se ky sukses është një inkurajim për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Konferencën e Ballkanit Perëndimor. Unë theksova se bashkëpunimi, miqësia dhe reformat që po zbatojmë në Republikën e Maqedonisë Veriore janë argumente serioze për një vendim pozitiv nga Bashkimi Evropian për të filluar negociatat gjatë verës”.
Në ndryshim nga një vit më parë, Raporti i Komisionit europian do të publikohet në fund të këtij muaji. Dhe vetëm dy javë më pas Këshilli Europian pritet të shprehet për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por, pikërisht koha e shkurtër mes këtyre dy momenteve rrezikon të shërbejë si një arsye, që disa prej vendeve anëtare të kërkojnë një shtyrje, të paktën deri në shtator, përpara se të dalin me një vendim.VOA