I arrestuari i gjashtë për grabitjen në Rinas hedh poshtë akuzat e prokurorisë. Në seancën e sotme për masën e sigurisë, Ragip Hajdini, për policinë i njohur si ‘daja’ i dëshmisë së Alkond Begasit ka mohuar çdo lidhje me grabitjen. “BalkanWeb” raporton se ai ka deklaruar se ka njohje me familjen e Admir Murataj dhe madje se kishte qenë edhe në varrim.
Hajdini ka thënë se nuk është ‘daja’ që kërkon policia, pavarësisht se thërritet me të njëjtën nofkë dhe se ka pamje filmike që tregojnë se ku ka qenë ditën e grabitjes.
“Kam njohje me familjen Murataj. Isha në varrimin e Muratajt, kam njohje me vëllain e tij. Por nuk jam unë ‘daja’ që kërkoni. Kam dëgjuar në media që flitej për një ‘daja’, por po të kisha lidhje nuk rrija këtu. Kam pamjet filmike që nuk isha aty në ditën e grabitjes. Kam qenë duke drekuar me miq të mi”, është shprehur Hajdini.
Ai ka kërkuar edhe ballafaqim me dëshmitarin e drejtësisë Alkond Bengasin për të verifikuar se nuk është ai personi i dyshuar. “Dua të ballafaqohem me Bengasin që më ka identifikuar”, ka thënë Hajdini.
g.kosovari