Arnaud Guedj “shfryn” ndaj Shqipërisë dhe Skënderbeut. Kur kanë kaluar 3 muaj që nga largimi i tij, mesfushori 21-vjeçar u zbulon francezëve problemet që ka hasur gjatë aventurës në Korçë. Nëse për stilin e jetesës nuk kishte ankesa, për atë që ka përjetuar në futboll nuk u kursye.
Gjatë një interviste të dhënë për “footballski.fr”, mesfushori që luajti 634 minuta me bardhekuqtë akuzon se lojtarët vendës ishin kundër të huajve. Ai përmend edhe një bisedë që ka zhvilluar me një lojtar shqiptar, por pa saktësuar emrin e ekipit ku ai luante. Sipas asaj që thotë Guedj, i kanë rrëfyer se presidenti u kishte kërkuar që të humbnin një ndeshje pa interes në fundin e një sezoni.
Pas aventurës në Ukrainë, si kaluat te Skënderbeu?
Pasi kërkova ndërprerjen e kontratës nga Ukraina dhe ata e pranuan, duhet të hiqja dorë nga disa paga që ata më kishin borxh. Isha në kontakte gjatë asaj kohe me Shatoru, ekip që donte që unë të nënshkruaja. Por nuk e mbylla, pasi lojtari që duhet të zëvendësoja nuk iku. Në të njëjtën kohë, një klub shqiptar më kërkonte, Skënderbeu. Herën e parë nuk pranova. Ata u kthyen tek unë përsëri, duke qenë se isha ende i lirë. Mendova të pranoja pasi ishin klubi kryesor në Shqipëri dhe kishin kanë disa pjesëmarrje në Ligën e Europës. Pastaj fakti që nuk hoqën dorë prej meje më bindi që ta filloja atë aventurë. Ishte edhe fundi i merkatos së transferimit dhe isha pa ekip, ndaj pranova.
Shkuat te kampionët i Shqipërisë, por që ishin edhe të përjashtuar nga Kupat e Europës për 10 vite dhe kishin marrë një gjobë të madhe nga UEFA. A e dinit këtë para se të pranonit ofertën?
I dija dy-tre gjëra para se të shkoja, por nuk ishte asgjë krahasuar me atë që gjeta atje. Bisedova me disa lojtarë që kishin luajtur disa sezone në Shqipëri dhe më thanë se klubi ishte në rënie, sidomos duke pasur parasysh rezultatet. Dhe ashtu si në Ukrainë, kishte probleme me rrogat. Në Ukrainë e ndërpreva kontratën sepse kisha probleme në klub. Unë nuk jam një njeri i keq, por te Skënderbeu lojtarët vendës ishin kundër të huajve!
Unë nuk e di nëse kjo ndodhte pasi unë po u merrja një vend në formacion, por ishte e pazakontë. Disa gjëra nuk shkonin, por me siguri që nuk ishte për fajin tonë. Një ditë, agjenti që më prezantoi Skënderbeun, më tha se nuk e kuptonte se përse kur luaja, shokët nuk më pasonin. Ata më vendosin shkopinj nën rrota dhe ishte e vështirë që të gjeja hapësirë në “letrat” e trajnerit.
A e keni ndier çështjen e korrupsionit te Skënderbeu apo në Shqipëri?
Jo, nuk e ndjeva. Sepse ata duhej të qetësonin situatën pas sanksioneve nga UEFA. Korrupsioni gjithsesi ishte më pak flagrant se në Ukrainë, ku nuk fshiheshin fare. Nga ana tjetër, kam takuar disa lojtarë shqiptarë, të cilët më kanë folur për shqetësimet lidhur me situatën e mëparshme.
Njëri prej tyre më tha se në fund të një sezoni, kur klubi ku ai luante, nuk kishte objektiva, presidenti i kishte kërkuar të humbnin ndeshjen. Disa nuk e kuptuan dhe po e luanin me gjithë shpirt. Por në pushim të ndeshjes, kur shkuan në dhomat e zhveshjes, iu bë presion.
Në kampionatin shqiptar shumë pak ndeshje kanë stadiume të mbushura. Pse ndodh kjo?
Në fakt, kjo ka lidhje me rëndësinë e ndeshjes. Kur luajtëm kundër Partizanit, stadiumi ishte plot dhe atmosfera fantastike. Javën e ardhshme, nëse do luaje me një ekip më pak të vlerësuar, stadiumi do ishte bosh… Kështu ndodhte.
Po infrastruktura si ishte?
Nëse ke luajtur në Le Mansh apo Nisë, e sigurt që do të duket si një botë tjetër. Dhomat e zhveshjes të krijonin përshtypjen sikur ishe në një lagje, terrenet në kompleks ishin katastrofë, përveç nesh (i referohet Skënderbeut), që kishim fushën më të mirë në kampionat. Për të luajtur, kushtet nuk ishin ideale. Mbaj mend që disa ndeshje i kemi luajtur në fshatra, pranë xhamive apo ndërtesave të larta.
Çfarë ju kujtohet nga jeta në Shqipëri?
Ishim vetëm dy frankofonë në ekip dhe nuk ishte maksimumi i kënaqësisë. Sidoqoftë, kisha mundësinë që të merrja vëllain me vete dhe ai luante me U-19 e Skënderbeut. Ata donin që ta përfshinin edhe në ekipin e parë, por kjo nuk ndodhi pasi nisën problemet e mia me klubin. Njerëzit janë më mikpritës se në Ukrainë. Për më tepër, qyteti i Korçës ishte shumë më i zhvilluar se ai që luaja në Ukrainë. Klima ishte shumë e bukur dhe ndonjëherë shkoja në Greqi për t’u çlodhur. Jeta jashtë sportit ishte e mirë.
Gjashtë muaj më vonë u larguat nga Shqipëria. Si e shihni të ardhmen tuaj tani?
Kur e përfundova kontratën time, kam pasur disa propozime nga klubet e Europës Lindore, si: Armeni, Bosnjë dhe Letoni. Kam biseduar me agjentin tim, por preferova të prisja për të gjetur një projekt bindës nga merkatoja e verës. Përparësia ime është ende për të gjetur një projekt të mirë në Francë. Së fundi, disa pyetje të shpejta.
Cilin zgjidhni mes ushqimit shqiptar dhe atij ukrainas?
Specialitete shqiptare.
Gra shqiptare apo ukrainase?
Kam një të dashur (qesh). Por ukrainaset janë më të bukura se shqiptaret.
Gjuha shqipe apo ukrainase?
Gjuha shqipe./Panoramasport
g.kosovari