Nga Ben Andoni
Që ta vëresh sesa e ndikuar është Kosova nga SHBA-ja mund ta kuptosh lehtë nga protokolli i pak orëve më parë në Gjermani. Në samitin e inincuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, takimi i parë i plotë i Delegacionit kosovar ishte me ambasadorin amerikan në Gjermani. Pak më parë, kryeministri Haradinaj refuzoi përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini (!), takim ku Kosova u përfaqësua me kreun e shtetit, Hashim Thaçi. Çuditërisht me brishtësinë e vet, Kosovës nuk i lejohen gjëra të tilla.
Presidenti Thaçi edhe në Berlin me lojëra fjalësh i është shmangur me marifet ndryshimit të kufijve, kurse për taksën ka ripohuar se është e drejtë legjitime e Kosovës. Por, në Berlin, liderët kosovarë kanë pasur mundësi edhe të tregojnë realisht shqetësimin e madh që u qëndron para vetes dhe e cila ka të bëjë me liberalizimin e vizave. “Ka qenë një standard i dyfishtë në Kosovë, liberalizimin s’po e kërkojmë si dhuratë po është diçka që e meritojmë është kontrata me qytetarët e Kosovës, është një padrejtësi dhe diskriminim”, tha presidenti Thaçi, që ka këmbëngulur se taksa e vendosur për produktet serbe e boshnjake është e drejtë legjitime e Kosovës. Deri më këtu gjithçka është dukur e drejtë, ashtu si edhe është në të vërtetë, por ky element ndodh kur luan me besimin se gjithmonë të pret një rezultat pozitiv. Dhe, kjo rrjedh pikë së pari nga pozicioni i Kosovës me një pavarësi e cila njihet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë por edhe nga mbështetja pa rezerva e SHBA-së. Ndaj, edhe dje, delegacioni kosovar ka insistuar se dialog nuk do të ketë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfunduar me pohimin se roli i Amerikës do të mbetet i pazëvendësueshëm. Në një farë mënyrë, këtu ka lënë shteg edhe për ngërçin natyral që shkakton theksimi i vazhdueshëm i këtij fakti, që do të thotë se: Serbia, njësoj, do të thërrasë Aleaten e saj të madh Rusinë, duke e lënë dialogun të hapur dhe duke e bërë marrëveshjen Beograd-Prishtinë të marrë ende shumë kohë për t’u jetësuar.
Problemi i madh i cili duhet të mësojnë zyrtarët e Kosovës është se Aleatët e Mëdhenj nuk janë të përjetshëm, kurse interesi i Kosovës është mbi të gjitha dhe duhet bërë në mënyrën më të pjekur dhe pragmatike të mundshme. Dhe, kjo bëhet duke respektuar çdo afrim që bën Evropa, kontinenti me të cilin kemi lidhur fatet dhe prej të cilës kemi vuajtur vazhdimisht.
Gjithsesi, protokolli kosovar na mësoi dje se kosovarët ende nuk i bën përshtypje ky fakt, paçka se tashmë janë një shtet që e bëri një dekadë jetë. Me pak fjalë, politikanët e Kosovës duhet të punojnë sikur Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos jenë fare afër, me idenë që gjithçka të burojë nga mendjet dhe duart e tyre, paçka se shpresojmë që ndihmën e tyre ta kemi përgjithnjë. (Javanews)