Ndërtimet pa leje kanë krijuar probleme në kolektorë, të cilat janë bllokuar. Për pasojë shumë hektarë toka mbeten të pakulluar ndaj vendorët po bëjnë ndërhyrjet.
Bllokimi i kolektorëve nga ndërtimet dhe mbjelljet e rrugëve që duhet të përshkojnë eskavatorët gjatë hapjes së kanaleve kulluese vazhdojnë të mbeten shqetësim në Lezhë. Kjo situatë problematike është prezantuar nga drejtori rajonal i bordit të kullimit në veri Ndue Preka. Sipas tij duhet ndërhyrë që të pengohen të tilla ndërtime në mënyrë që të garantohet kullimi i tokave.
Rreth 1100 hektarë tokë në zonën e Zejmenit po dalin thuajse plotësisht nga harta e përmbytjes si pasojë e reshjeve të dimrit. Drejtori Preka thotë se po bëhet një ribonifikim i të gjithë fushës së Bregut të Matit.
Gjatë punimeve për hapjen e kolektorit të Zejmenit ka patur ndërhyrje edhe në trupin e argjinaturës. Eskavatorët po heqin dheun e argjinaturës për t’ua dhënë privatëve dhe po bëjnë mbushje me mbeturinat që po nxjerrin eskavatorët. Drejtori Preka është kontradiktor me deklaratën e tij kur i adresohet për përgjigje një shqetësim i tillë.
Ndërhyrjet kanë nisur prej disa ditësh, ndërsa banorët kërkojnë që të mbrohet argjinatura dhe të mos merren dhera në të, kjo pasi mund të rrezikojë çarjen gjatë stinës së dimrit.
/a.r