Spanjollët u janë drejtuar sot kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të nxitura nga kriza e Katalonjës. Sondazhet tregojnë rënie të theksuar të popullaritetit për dy partitë e mëdha, atë popullore dhe socialistët. Ata do të duhet t’i diskutojnë koalicionet paszgjedhore me 3 parti të tjera. Ndër to, për të parën herë pritet të hyjnë në parlament edhe të djathtët radikalë të partisë Vox.
Ky grupim u themelua nga Satiago Abaskal dhe të larguarit nga partia popullore në 2013-ën. Ata janë kundërshtarë të ashpër të Pavarësisë së Katalunjës, sikurse Partia Popullore e Pablo Kasados.
Kryeministri nga radhët e socialistëve Pedro Sançez mund të renditet i pari në zgjedhjet e të dielës, por ka paralajmëruar rrezikun që i kanoset vendi nga e djathta e anti-emigrantëve, që mund ta rendisë Spanjën mes vendeve europiane si Italia e Austria, ku në qeveri janë populistët.
Sançez mund të krijojë qeveri vetëm me partitë e vogla të Katalonjës, për çështjen e të cilëve ka një qëndrim më miqësor, sesa të djathtët popullorë dhe lëvizja Ciudadanjos, që së bashku me Voxin kërkojnë që Pavarësia e rajonit më të pasur të Spanjës, as të mos shtrohet për diskutim. Kutitë u hapën në orën 09:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00 të darkës.
/a.rada