Aksioni i nisur për pastrimin e Syrit të Kaltër në Sarandë po rikthen këtë destinacion turistik në një vend të pastër dhe me standardet e duhura, për të pritur më shumë turistë në sezonin e ri veror.
Këtë fundjavë të rinjtë vullnetarë të Eco Volis kanë zgjedhur të shijojnë fundjavën në këtë park natyror, i cili pas përfundimit të aksionit të parë të pastrimit, ku janë bërë heqjet e mbetjeve inerte, mbjellja e pemëve, si dhe shtimi i koshave për hedhjen e mbeturinave, i kanë kthyer kësaj pike të rëndësishme turistike pamjen e merituar.
Të rinjtë kanë shijuar bukuritë e këtij peizazhi të mrekullueshëm duke bërë kanoe në ujërat e kristalta, si dhe duke shëtitur me biçikleta në zonën e mbushur plot me gjelbërim.
“Pas nisjes së punës për rehabilitimin e Syrit të Kaltër, vullnetarët e Eco Volis i kërkojnë qytetarëve të mbrojnë Parkun Kombëtar, duke promovuar bukuritë përrallore të kësaj embleme të turizmit shqiptar”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.