Nga Çapajev Gjokutaj
Dje opozita bllokoi për një orë rrugët kombtare në pesë pika nevralgjike. Eshtë një përshkallëzim i protestave që, sipas krerëve, do të shpjerë në mosbindje civile.
Radikalizimi i protestave është gjë që bën sens për situatën. Me vetdaljen nga sistemi opozita ka ndërmarrë një akt ekstrem që s’i dihet fundi.
Mund të arrijë plotësimin e kërkesave të saj, qoftë edhe të amenduara, por edhe mund të dëmtojë seriozisht veten. Jasht sistemit dhe larg përfaqsimit legal çdo forcë politike ndihet si peshku në zall.
Me një fjalë koha nuk pret ndaj është krejt logjike që opozita të radikalizojë protestat. Kjo nuk ha diskutim, e diskutueshme mbetet forma e zgjedhur. Më saktë, sa frytdhenës do të jetë bllokimi i rrugëve në shkallë kombëtare.
Nga mbulimi televiziv dukej se në të pesë rrethrrotullimet gjendeshin disa pak mijëra protestues. Asnjeri nuk e di sa ishin qytetarët që u bllokuan për një orë në trafik. Kishte më shumë protestues apo të bllokuar?
Nënryetari i PD-së deklaronte dje mbrëma nga Elbasani se javën tjetër bllokimi do jetë dy orë dhe do vijë në rritje. Vështirë të thuash se të zotët e punës kanë hulumtuar si do ndikojë në sjelljen elektrale ky bllokim e kaos. Për më tepër se pritet periodicitet i zgjatur dhe numër në rritje i të bllokuarve.
Edhe diçka tjetër mbetet e diskutueshme. Deri tani protestat javore të opozitës kanë patur për target parlamentin dhe maxhorancën.
Pse tani harxhet duhet t’i paguajnë qytetarët? A s’do të ishte më mirë që të aplikoheshin forma ku edhe protestohet, edhe sensibilizohet opinioni, por harxhet më të shumta t’i paguanin politika dhe politikanët?