Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali gjatë takimit me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve në Tiranë, theksoi se qeveria shqiptare dëgjoi zërin e studentëve në protestën e dhjetorit, duke adresuar edhe problematikat e tyre.
“Arsimi ka rolin më të madh në të gjithë këtë. Jo më kot ajo që nisi në dhjetor si protesta e studentëve ishte një shpërthim për më shumë dije, mundësi, barazi. Çështje të cilat ne nuk i injoruam, por i bëmë pjesë të politikave qeverisëse dhe marrëveshjeve që po bëjmë me fakultetet dhe me universitetet në tërësi. Studentët na mësuam shumë, pasi një pjesë e tyre kishte një vizion të qartë, për më tepër shprehte atë klithmë për më shumë vend në shoqëri. Ky vend nuk hapet vetvetiu, por kërkon mund. Në të gjithë këtë kënd ne jemi munduar të ndërhyjmë duke bërë disa gjëra që janë thelbësore”, – u shpreh Spiropali.
Sipas Spiropalit, Pakti për Universitetin po shërben për të zgjidhur problematikat e parashtruara nga ana e studentëve, ku ngritja e bibliotekës dixhitale do të krijojë më shumë lehtësi për punimin e kërkimeve shkencore.
“Pakti për Universitetin përveç tarifave të studimit, ne jemi munduar që të ndërhymë edhe në disa gjëra të tjera thelbësore, siç është biblioteka dixhitale, në mënyrë që studentet dhe pedagogët të kenë akses në një bibliotekë me qindra tituj akademikë, studime shkencore, në mënyrë që të punohen studimet shkencore. Në mungesë të kësaj hapësire, të librave krijohej edhe një problem i madh me plagjiaturat. Në rast se me doktoraturën ke vetëm katër tituj librash, është normale që do rrotullohesh rreth atyre. Biblioteka dixhitale hap një botë krej të re në sistemin tonë universitar”.
Spiropali u ndal edhe tek infrastruktura e konvikteve të studentëve, ku shifra prej 16 milionë eurosh pritet që të transformojë rrënjësisht kushtet e tyre.
“Ndërhyrja në mjedise dhe në infrastrukturën e universiteteve, si në konvikte dhe në ndërtimin e kampuseve universitare, që po bëhen nga ministrat me universitetet. Ky është një projekt që vazhdon, sepse ngritja e një universiteti cilësor në shumë vende të botës ka zgjatur me vite, duke konsoliduar praktikat. Ne kemi mangësi të theksuara në këtë drejtim, ama kemi gjithë dëshirën për ta ndryshuar këtë. Jo më kot ja dedikuam vitet e para të qeverisjes për mbylljen e kioskave dhe fabrikave të diplomave, ku studentët dilnin të papunë dhe pa pasur një diplomë që vlen për të ardhmen. Patjetër që ka edhe praktika të tjera që duhen adresuar. Titujt universitarë duhet të fillojnë dhe duhen bërë nga universiteti, të cilat i japin garanci studentit. Po u hoq ky gur themeli, gjithçka tjetër bie dhe prandaj ne po kërkojmë që të vendosim këtë standard në universitet. Ndërhyrjet e tjera si, karta e studentit, është një premtim që po realizohet nga bashkia e Tiranës dhe Ministria. Kushtet në konvikte janë të turpshme, dhe ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë dhe kërkojmë falje për vitet e jetesës së studentëve në ato kushte. Investimi prej 16 milionë eurosh për konviktet është premtimi ynë që konviktet në të gjithë vendin të restaurohen”, – vijoi ajo.
/a.rada