Nga Ben Andoni
Edhe pse “Bindja Demokratike” nuk po “merret shumë” parasysh nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, për një gjë ata duhet t’i jenë të gjithë mirënjohës. Njerëzit që ideuan këtë parti e trandën dhe sollën një frymë shprese mes të Djathtës, pas kohësh amulli. Pavarësisht se kjo parti ende nuk është përshfaqur me të gjithë platformën e saj politike, me planet e qarta të prekshme, edhe pse në synim afatshkurtër dhe afatgjatë, ajo ka shënuar në nisje se do të synojë një rrugë ndryshe. Në shkrimin programues që ka bërë koordinatori i saj, thuhet mes të tjerave se: Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët.
E gjitha kjo dihet, ashtu si shumë gjëra që me shumë të drejtë janë shpalosur në përshkrimin e kësaj partie, por që deri tani janë thjesht frymë dhe ide. Ajo që realisht nuk dihet dhe nuk kuptohet është sesi do të çajë në moçalin që kanë krijuar dhjetrat partitë politike në historinë e fundit 30-vjeçare. Një nga idetë e tyre është se nuk do të jetë kurrsesi parti e liderit (!), porse duke njohur Homo Albanicus, e me këtë shkallë demokracie që kemi, Shqipëria nuk e ka pasur kulturën dhe mirëdashjen që të jetë front ku të shpalosen ide, pa u drejtuar mirë ose keq nga një lider. Për këtë, referuar z.Patosi, ne kemi zgjedhur një rrugë të re: Bindja Demokratike është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri.
“Bindja demokratike” duket se sfidën më të madhe e ka me veten përderisa nuk është provuar ende në zgjedhje, ku do të marrë çertifikimin e parë zyrtar. Ajo duhet të tregojë se ka struktura, se ka transparencë dhe mbi të gjitha se respekton demokracinë e partisë. Sloganet, që përdoren, janë të bukura por të pamundura në këtë sistem, ku votuesi shqiptar në fund pajtohet me status quo dhe në fund …mbush kutitë e PS dhe PD-së.
Pos shfaqjes reale të demokratizimit të saj, lufta e BD-së duhet të jetë për t’u identifikuar dhe mbi të gjitha për të treguar se me shembullin e saj mund të ndikojë për të ndryshuar sistemin. Deri më atëherë është një mal i tërë për të kaluar dhe këtij mali, që nuk lëviz nga vullneti i ndryrë i shoqërisë shqiptare, nuk ke çfarë t’i bësh përveçse ta injorosh me shembullin dhe identifikimin tënd. Sesa e lirë do të jetë kjo parti-ide do të duket nga komunikimi ideor që do të zgjedhë me Familjen e saj të Djathtë dhe komunikimin institucional me të Majtën.
Është mirë që partitë e reja që kanë bazë ideore të mbështeten, por është më mirë që t’i lësh realisht të tregojnë sesa realisht respektojnë demokracinë e tyre. Nuk është rasti për BD-në por për të ardhmen e demokracisë sonë. Por, a po fryn vërtetë me këtë formacion një erë e re demokracie në jetën politike shqiptare?! (Javanews)