Robert De Niro ka kritikuar sërish Donald Trumpin, duke e quajtur presidentin amerikan një humbës të madh dhe aspirant për gangster. Aktori është përfshirë në një mosmarrëveshje të hershme me Trumpin, e pati folur kundër tij edhe në ceremoninë e çmimeve “Tony”, vitin e kaluar. Trump iu kundërpërgjigj, duke thënë se De Niro ishte një individ me koefiçent inteligjence shumë të ulët.
Por, të premten në mbrëmje, De Niro tha në një emision televiziv se ishte përpjekur t’i jepte një mundësi Trumpit.
“Unë i dhashë atij një mundësi, e këtë e bëj me të gjithë. Por, ky njeri ka provuar tashmë se është një humbës i madh”, tha De Niro.
Robert De Niro është një nga aktorët më të adhuruar të gjeneratës së tij, me dy çmime “Oscar” për rolet në filmat “The Godfather” dhe “Raging Bull”. Ai do të rikthehet në zhanrin e gangsterëve për “The Irishman” në “Netflix”, që do ta bashkojë me regjisorin Martin Scorsese.
I pyetur nga moderatori, se përse audiencat janë kaq të dashuruara me këtë zhanër, ai u përgjigj:
“Njerëzit i pëlqejnë temat e të qenit jashtë ligji, por për të ardhur keq është se ne tani kemi një aspirant për gangster në Shtëpinë e Bardhë”.
/a.meta