Ishte viti 2012 kur shumë burra e gra kosovare morën rrugën për të luftuar në Siri. Disa u bënë edhe komandantë atje. Më të famshmit ishin Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi, të cilët edhe u vranë zonën e konfliktit. Sipas Policisë, që nga 2012’ta në Siri e Irak kanë shkuar mbi 300 kosovarë, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë. Mbrëmë në Kosovë janë kthyer 110 prej tyre. Ndërkohë, sipas autoriteteve kosovare, në zonën e konfliktit vazhdojnë të jenë edhe rreth 90 kosovarë të tjerë. Aktualisht, të kthyerit po mbahen në Qendrën e të Huajve në Vranidoll dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë, të cilët siç mëson Express pritet të lirohen pas 72 orësh.
Derisa shumë kosovarë ende nuk kishin dëgjuar për organizatën terroriste ISIS, disa të tjerë veçse kishin filluar të luftonin nën flamurin e kësaj organizate. Që nga 2012’ta, rruga e kosovarëve drejt zonës së konfliktit në Siri u shpeshtua.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, numri i kosovarëve që shkuan të luftonin në emër të ISIS’it në Siri e Irak shkoi në mbi 300, në mesin e të cilëve kishte edhe gra e fëmijë. Ndërkohë, numri i saktë i atyre që ishin në zonën e konfliktit nuk u mësua asnjëherë.
Disa u vranë pak ditë pasi shkuan, e të tjerë arritën të ngriteshin në hierarkinë e kësaj organizate. Në mesin e tyre, ishin edhe kaçanikasi Lavdrim Muhaxheri dhe gjilanasi Ridvan Haqifi, të cilët edhe e humbën jetën në zonën e konfliktit.
Ata pak kohë pas shkuarjes së tyre në Siri, ia arritën që të bëheshin edhe komandantë të kësaj organizate.
“Komandant Muhaxheri”- Lavdrim Muhaxheri nga Kaçaniku u bë i famshëm me një video në youtube ku kërkonte t’ua priste kokat e gjeneralëve amerikanë.
Ndërkohë, që Ridvani në komandë pasonte Lavdrim Muhaxherin në drejtimin e xhihadistëve shqiptarë në këtë organizatë që konsiderohej si organizata më e pasur terroriste e botës.
Të dy këta ishin xhematë (pasues) të imamit kontrovers kosovar, Zekirja Qazimi, derisa Ridvani më vonë morri të drejtën edhe të ligjëronte në xhaminë që e drejtonte imam Qazimi- një përkrahës publik i xhihadit të ISIS’it.
Numri i kosovarëve që u bënë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.
“Që nga viti 2012 e deri më tani janë 253 persona të gjinisë mashkullore që në periudha të ndryshme kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit dhe të cilët trajtohen si luftëtarë të huaj terroristë”, kishin deklaruar në Policinë e Kosovës në shkurt të këtij viti.
Ndërkohë, numri i kosovarëve në Siri filloi të rritej edhe me lindjen e grave atje. Gratë kosovare lindën 60 fëmijë në zonat e konfliktit.
Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se këta 60 fëmijë tjerë të lindur në zonën e konfliktit janë “së paku nga njëri prind me shtetësi apo me prejardhje nga Kosova”.
E rreth 80 prej tyre që udhëtuan drejt zonës së konfliktit në Siri e Irak, nuk arritën të ktheheshin më në Kosovë. Numri atyre që vdiqën në zonën e konfliktit shkon në rreth 80’të.
Derisa ata që kanë mbetur gjallë kanë filluar të kthehen në Kosovë.
Mbrëmë, në Kosovë janë kthyer 100 shtetas kosovarë që kishin qenë pjesëmarrës në luftën në Siri.
Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga forcat policore mbrëmjen e së premtes deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Bëhet fjalë për 4 luftëtarë 32 gra dhe 74 fëmijë (përfshirë 9 fëmijë pa prindër).
Për 4 luftëtarët është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gazeta Express përmes shumë burimeve brenda organeve të hetuesisë ka arritur që të mësojë se kush janë kosovarët që luftuan një kohë në zonat e konfliktit në Siri për t’u kthyer mbrëmë në Kosovë.
“Agon Misini, Arijan Kryeziu (Krujezi), Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci…janë katër burrat që luftuan në Siri e tash ndodhen në prangat e policië”, tha ky burim.
Të kthyerit nga Siria në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë dërguar në qendrën për azil në fshatin Vranidoll i cili gjendet në periferi të Prishtinës.
Shteti ka garantuar se atyre do t’u bëhen kontrollat mjekësore si dhe do të punohet që të njejtit të integrohen në shoqëri.
Gazeta Express ka kontaktuar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin për të marrë vesh se a kanë të drejtë që të kthyerit të takohen me familjarët, i cili nuk ka dashur të jap detaje duke thënë se çdo gjë është e koordinuar dhe dikush nga të kthyerit lëshohet për në shtëpi me herët e dikush më vonë.
“Gjithçka eshte e kordinuar me policinë dhe MPB-në, për kontakte me familjaret e të gjitha. Dikush lirohet me herët e dikush më vonë”, tha Tahiri.
Por, Gazeta Express mëson nga burime të sigurta brenda organeve të sigurisë së të kthyerit do të qëndrojnë në qendrën e azilkërkuesve në Vranidoll 72 orë (3 ditë) më pas do të lirohen për në shtëpitë e tyre.
“72 orë kanë me nejt në Vranidoll, pastaj shpërndahen te familjet e tyre”, tha ky burim.
Duket se për shkak të procedurave ligjore- derisa të kalojë kjo periudhë kohore, familjarët nuk do të kenë mundësi të takohem me të kthyerit nga Siria.
Por, pavarësisht se disa prej kosovarëve u kthyen nga Siria, atje vazhdojnë të mbesin edhe rreth 90 të tjerë.
Përmes një konference të thirrur për media, Drejtori i Policisë Rashit Qalaj konfirmoi se ende nuk kanë arritur t’i kthejnë të gjithë qytetarët ndërsa dha shifra se edhe sa kosovarë ndodhen në Siri.
“Janë 30 luftëtarë 49 gra dhe 8 fëmijë në zonat e konfliktit”, tha Qalaj, raporton Gazeta Express.
Në vazhdim pritet që edhe ata të kthehen në Kosovë, përderisa krejt ky veprim është i koordinuar me Amerikën.
Madje mëngjesin e sotëm Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka përgëzuar institucionet e Republikës së Kosovës, për riatdhesimin e 110 kosovarëve të cilët kanë jetuar në Siri, 4 prej të cilëve kanë luftuar krah ISIS-t.
Sipas tyre me këtë veprim Kosova po vendos një standard të ri për Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in.
E, pjesëmarrës në konferencë ishte edhe ministri i drejtësisë Abelard Tahiri i cili tha se Kosova me ndihmën e Amerikës ka kthyer dhjetëra qytetarë nga zonat e luftës.
Shtoi se të njejtit kanë përjetuar peridhë traumatike ndërsa shteti do të merret me trajtimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.
“Gra e fëmijë kemi arritur ti nxjerrim nga zonat e konfliktit, që janë shfrytëzuar dhe u është mohuar e ardhmja. Gratë dhe fëmijët meritojnë rehabilitim, e fëmijët e kanë vendin në shkolla.Kanë përjetuar peridhë të rëndë traumatike”, tha Tahiri, transmeton Gazeta Express. Ndaj atyre që u kthyen nga Siria, do të veprohet konform ligjit.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë arrestuar katër luftëtarë që u kthyen nga Siria, ata janë ndaluar për 48 orë”, tha Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.
Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.
Shteti Islamik, i cili në vitin 2014 ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në pjesë të Sirisë dhe Irakut, është raportuar se ka humbur kontrollin në territorin e fundit në muajin mars.
Ndryshe, javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve në Evropë që t’i marrin dhe gjykojnë luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.
Qeveria e Kosovës kishte thënë atëbotë se do të veprojë njësoj si edhe shtetet e tjera anëtare të koalicionit global kundër Shtetit Islamik.
/a.meta