Nga Alfred Peza
Një deklaratë “e pazakontë” e Ambasadës së SHBA në Tiranë dhënë “Zërit të Amerikës”, që pason atë të një dite më parë nga ambasadori i BE, ka sqaruar përfundimisht pozicionin e ndërkombëtarëve, duke i vënë vulën dilemave të mëdha politike në Shqipëri, në raport me zgjedhjet e 30 qershorit.
Si kurrë më parë qartësisht e zyrtarisht, Uashingtoni dhe Brukseli, janë pozicionuar hapur kundër aksionit të opozitës së vjetër e cila pas djegies së mandateve dhe daljes nga sistemi, ka deklaruar se nuk do mari pjesë në zgjedhjet lokale, duke shkuar madje deri atje, sa ka kërcënuar se do të angazhohet deri edhe për bllokimin e procesit zgjedhor të dielën e votimit.
Në deklaratën e të ngarkuarës me punë Leyla Moses-Ones, ambasada Amerikane tha se “mirëpret konkurimin demokratik të hapur dhe energjik në kutitë e votimit. Votuesit shqiptarë duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes një game të gjerë kandidatësh që do ti përfaqësojnë vërtet ata. Nxisim këdo që mendon të kandidojë, që të regjistrohet”.
Ky qëndrim i ri i SHBA, jo vetëm i forcon qëndrimet e mëparshme por tejkalon edhe deklaratën e Zv. Ndihmës Sekretarit Matthew Palmer në Tiranë, i cili “u bëri thirrje atyre partive që kanë braktisur institucionet e Shqipërisë që të riangazhohen në procesin politik. Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të qershorit është mundësia më e mirë për ta, që ta bëjnë këtë”. Kjo do të thotë se pas BE që deklaroi hapur mbështetjen për opozitën e re parlamentare dhe inkurajimin për të marrë pjesë në zgjedhje, ishte radha e SHBA për ta bërë këtë sot, hapur dhe pa asnjë ekuivok.
“Zëri Amerikës” thotë se ambasada e SHBA në Tiranë përshëndeti “hapat konstruktivë të opozitës në parlament që formalizuan më tej praninë dhe pozicionet e tyre si deputetë. Formimi i (2) grupeve (të reja) parlamentare do të forcojë më tej aftësinë për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre si anëtarë aktivë të parlamentit. Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të funksionojë. Ky vazhdim i proceseve parlamentare- përfshi hyrjen e deputetëve të rinj, zhvillimin e debateve dhe miratimin e ligjeve- është shenjë e vazhdimësisë dhe stabilitetit të këtij institucioni të rëndësishëm demokratik”.
Kaq mjafton për të kuptuar se ajo çfarë po ndodh tashmë në Tiranë, nuk është më një “luftë” politike mes mazhorancës dhe opozitës; mes PS dhe PD e LSI; mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Sali Berishës apo Ilir Metës. Sepse këtë luftë opozita e vjetër e Shqipërisë e humbi në momentin që doli nga sistemi parlamentar, pasi nuk ka asnjë mendje normale njerëzore dhe politike, që të pranojë një vendim të tillë, e aq më pak që ta mbështesi dhe ta inkurajojë atë.
Prej dy muajsh me radhë arbitri ndërkombëtar, aleatët strategjikë të Shqipërisë SHBA dhe BE, me siguri kanë parë dhe analizuar me kujdes:
E para, nëse lëvizja “in extremis” e opozitës kishte apo jo mbështetje popullore. Dështimi i strategjisë së protestave, tregoi më së miri se e gjitha çfarë u kurdis të ndodhte, nuk ishte gjë tjetër veçse një lëvizje e asaj pjese të korruptuar dhe të kriminalizuar të elitës politike në opozitë, që i trembet “si djalli temjanit” drejtësisë së re. Duke mos patur mbështetje popullore, lidershipi opozitar e shpiku këtë skenar, duke menduar se në këtë mënyrë do ta fitonin pushtetin në tavolinë.
E dyta, mazhoranca dëshmoi se gëzonte legjitimitetin e duhur dhe mbështetjen e mjaftueshme popullore për ta vijuar pa u ndalur punën, qoftë në qeverisjen qëndrore e lokale të vendit, qoftë në vijimësinë e punës së Parlamentit dhe qoftë në ruajtjen e ekuilibrave sociale dhe ato makroekonomike të vendit.
E treta, në këto kushte SHBA dhe BE duket se vendosën që “tia presin biletën për në ferr” opozitës së vjetër. Duke inkurajuar dhe mbështetur hapur pas kësaj krijimin e një opozite të re. Pak rëndësi ka tashmë nëse ata janë deputetë të rinj, grupe të reja parlamentare të sapokrijuara, individë, grupe shoqërore, lëvizje dhe parti politike me vokacion opozitar. Më e rëndësishme se kjo, është që ato të bëhen pjesë e proceseve dhe realiteteve të reja politike që po lindin.
Duket sikur thënia e njohur “e vjetra po shembet, kohët po ndryshojnë. Një jetë e re, po lulëzon gërmadhash”, është më aktuale se kurrë, në realitin e sotëm opozitar në Shqipëri. Me gjithë kërcënimet, hamendësimet, deklaratat dhe hakërrimet e lidershipit të opozitës së vjetër, një gjë është e qartë për të gjithë se; askush as nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë aq fuqi, sa të ndalojë rrotën e historisë së demokracisë sonë që të eci përpara. Aq më tepër, kur ajo po shtyhet pa u kursyer dhe hapur tashmë, edhe nga SHBA e BE! (Alpenews)