Tirana ka nisur punën që në vitin 2022 të jetë Kryeqyteti Evropian i të Rinjve (EYC). Për t’ia arritur qëllimit, Bashkia e Tiranës, organizata rinore, gjimnazistë dhe studentë u mblodhën së bashku në një tryezë për të diskutuar rreth sfidave dhe hapave që do të merren për të përmbushur me sukses këtë qëllim. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se aktualisht Tirana është përzgjedhur si një nga 5 finalistet dhe synimi është fitorja.
Aplikimi është në linjë me prioritetet e Bashkisë së Tiranës për rijetëzimin e kapaciteteve kulturore, artistike, sociale, ekonomike dhe edukative të të rinjve. Veliaj shtoi se tashmë nevojitet më shumë punë dhe përkushtim. “Duhet të jemi edhe inteligjentë, jo vetëm që të përkushtohemi me një buxhet të caktuar për të qenë Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por edhe të ketë duk, pra të ketë një sërë aktivitetesh, ku shumë të rinj mund të përfitojnë shumë prej fushave të caktuara, jo vetëm muzikë apo art, kulturë”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se qytetit i nevojitet edhe një dimension rajonal, që të jetë i aksesueshëm për të rinjtë që vijnë nga vendet e tjera të rajonit. “Na duhet të kemi një dimension rajonal; pra duhet të jemi patjetër Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por duhet të pranojmë se do të jemi shumë të aksesueshëm për të rinjtë. Ajo që do të vlerësohet është sa qytet i hapur jemi për të përfshirë edhe të tjerët. Jam i sigurt se shumica prej jush keni shoqata partnere-binjake, me të cilat mund të keni bërë projekte apo shkëmbime, por do na e rrisni fuqinë e aplikimit tonë nëse do të ishim më të hapur, të kishim shkëmbim energjish, por edhe aktivitete të përbashkëta me të rinj të tjerë të rajonit, për të rrëfyer se realisht Tirana është jo vetëm qyteti më i ri në rajon, por është edhe qyteti më evropian në rajon”, deklaroi ai.
Tashmë, edhe shumë institucione ndërkombëtare po zgjedhin Tiranën për selitë e tyre, duke e kthyer atë në një epiqendër të vendimmarrjeve. “Zyra rajonale e shkëmbimeve të rinisë është këtu, pra Tirana po kthehet në një pikë graviteti për disa institucione të tjera rajonale. Unë do të vazhdoj të loboj për Tiranën, por në fund të ditës kjo është puna ime dhe ajo çka na duhet është se çfarë energjie shtesë vjen nga ata që këtë nuk e kanë punën e tyre themelore dhe thonë: E di çfarë? Unë me Erionin mund të mos bie dakord për 100 gjëra dhe do vazhdoj të protestoj, ama kur vjen puna që Tirana të dalë e para, këtu jemi të gjithë bashkë”, nënvizoi Veliaj.
Tirana i plotëson të gjitha kushtet dhe ka gjithë mundësitë për ta fituar garëën, për t’u kthyern në epiqendrën e ngjarjeve kulturore, artistike, sociale, edukative dhe ekonomike jo vetëm në nivel vendor, por edhe në atë evropian, në vitin 2022.
g.kosovari