Kryetari i PD Luzlim Basha bëri të ditur pak minuta më parë se PD do të hyjë në zgjedhje vetëm pasi të krijohen kushtet dhe një qeveri tranzitore. Sipas tij, Këshilli Kombëtar i PD ka mirutuar 3 propozimet e kryesisë së PD, që kanë të bëjnë kryesisht me hyrjen e PD në zgjedhje. Ai tha se Këshilli Kombëtar ka sanksionuar hapat për betejën politike në vijim.
“Misioni ynë është i qartë Këshilli Kombëtar sot ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike që ka objektiva të qarta. Të çrrënjosim krimin, korrupsionin. të çlirojmë ekonominë nga krimi dhe oligarkia që pamundësojnë zhvillimin ekonomik. T’u shërbejmë qytetarëve shqiptarë jo vetëm duke i rikthyer shpresën por duke i kthyer votën e ndershme. PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.
Kryesia e PD-së i propozoi Këshillit Kombëtar:
– Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
-Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
-Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.