Finalja e sivjetshme e Champions League do të jetë e teta radhazi, në të cilën Pep Guardiola nuk do të mund të përfaqësohet, gjë që ndoshta mund të mos duket edhe aq e jashtëzakonshme. Kjo, sepse ky është një turne me eliminim të drejtpërdrejtë, ku padyshim mund të ndodhë gjithçka.
Gjithsesi, duke qenë se Guardiola ka fituar 7 tituj kampionë në 9 sezonet e fundit si trajner – e ndoshta muajin e ardhshëm do ta çojë këtë bilanc në 8 tituj në 10 sezone, – për më tepër duke drejtuar tri nga klubet me fuqi të jashtëzakonshme financiare të botës, mungesa sërish është e dukshme.
Shumëkush në botën e futbollit mund të pyesë se, përse Guardiola, i cili fitoi Championsin me Barcelonën në vitet 2009 dhe 2011, nuk po arrin të njëjtin sukses edhe me ekipet e tij, që po ndalen vetëm një hap apo disi më shumë nga beteja finale?
Tregimi – argumenton libri më i ri i një shkrimtari britanik, – është mënyra sesi të kuptosh botën. Është krejt e natyrshme të përpiqesh të gjesh arsye prapa inkoherencës ekzistenciale. Askush nuk punon më fort mbi këtë aspekt sesa Guardiola, një trajner i famshëm për hulumtimet e tij duke kaluar përmes faqeve të librave të Marti Perarnau, e që shihet shpesh duke mbajtur një portofol statistikash dhe diagramësh nën sqetull.
E megjithatë, edhe një gjeni i këtillë mund të vuajë në përpjekjet e tij për të gjetur një justifikim mes kaosit që mbretëroi në “Etihad Stadium” gjatë së mërkurës.
Ai mundet të veçojë “rombin” në mesfushën e Tottenhamit, si faktori kryesor i presionit të ushtruar në “zemrën” e ekipit të tij, duke nxitur kështu “Citizens” të gabojnë më shumë, madje edhe në raste “fatale” për futbollin si ato të dy golave të shpejtë nga Son Heung-min. Por, i njëjti “romb” ekspozoi edhe mbrojtjen e Tottenhamit, e cila ishte një faktor kontribuues në të tri golat e Cityt.
Ndoshta mund të përcaktojë se dëmtimi i Moussa Sissokosë dhe alternativat më të shumta në mesfushë nga Tottenhami mund të kenë ndryshuar balancën e ndeshjes, në fund të pjesës së parë, por askush prej këtyre nuk vendosi rezultatin e ndeshjes. Atë e vendosi një goditje nga këndi, me topin që u drejtua për nga Fernando Llorente, i cili nuk do të kishte qenë në fushë nëse Sissoko nuk do të dëmtohej, apo nëse Harry Kane nuk do të ishte dëmtuar javën e kaluar. E përpara se t’i përfundonte topi në lartësinë e legenit, ai do të prekte edhe krahun e Llorentes, që gjyqtari Cuneyt Cakir nuk “e pa”, por që përsëritjet e shumta e demostruan qartësisht.
Megjithatë, edhe pas këtij episodi do të vinte një tjetër edhe më e fuqishme, përpjekja e Raheem Sterling në minutën e 93-të, që videoarbitrimi VAR do ta zeronte.
Guardiola u shfaq i mëshirshëm, duke pranuar se Sergio Aguero ishte në pozicion jashtë loje, por gjithçka për vetëm pak centimetra. Gjithsesi, është e pamundur që në mendje të mos i ketë kaluar çerekfinalja e sezonit të kaluar, kur një pozicion jashtë loje i gabuar i mohoi Leroy Sanesë një gol që do të kishte reduktuar humbjen në 3-2. Nëse VAR-i do të kishte ekzistuar vjet, goli do të ishte konfirmuar dhe ku i dihet sesi do të përfundonte ndeshja me Liverpoolin në pjesën e dytë.
Është po aq e arsyeshme të ngresh supet përpjetë, sesi mund ta diferencosh rastin e Llorentes, me topin e prekur me dorë nga Yaya Toure, gjatë aksionit që mund të kishte rezultuar me shënimin e golit të fitores për Barcelonën kundër Interit të Jose Mourinhos në vitin 2010.
Guardiola e sheh veten për të tetën herë jashtë Champions League në rolin e trajnerit. Tri herë ka ndodhur për shkak të golave në fushë kundërshtare, tri herë pasi lojtarët e tij humbën 11-metërshat, e tri herë pasi ekipet e tij përmbysën kundërshtarët në takimin e dytë por e panë veten vetëm një gol larg mrekullisë.
/a.meta