Koncesionet e rrugëve nuk do të jepen më nga qeveria, por do të kalojnë në parlament. Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës, qeveria ka miratuar një vendim, i cili ia kalon parlamentit fjalën e fundit për miratimin e kontratave të partneritet publik-privat në ndërtimin e rrugëve.
Deri më tani e gjithë procedura për dhënien e një rruge me partneritet publik-privat, që nga përzgjedhja e fituesit e deri tek miratimi i koncesionit kryhej nga qeveria.
Por me vendimin e ri, kontratat e negociuara nga qeveria do të kalojnë fillimisht për diskutim në komisionet parlamentare dhe më pas do ti nënshtrohen votimit në seancën.
Burime nga Ministria e Infrastrukturës thanë për top channel se kësaj procedure do t’i nënshtrohen edhe 2 kontratat ekzistuese të rrugëve që janë në fazë negocimi, si Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, të cilat ishin parashikuar të miratoheshin vetëm më vendim qeverie.
Top Channel ka mësuar se kontrata e parë që pritet të shkojë për miratim në parlament është ajo e ndërtimit të aksit Milot-Balldren. Për ndërtimin e kësaj rruge me gjatësi 17.6 kilometër, qeveria ka shpallur fituese kompaninë ANK me vlerë totale ndërtimi 161.5 milionë euro.
Pas këtij aksi, Ministria e Infrastrukturës do të dërgojë në parlament edhe kontratën tjetër atë të Orikum-Dukat, e cila do të ndërtohet nga Gjikuria me një kosto prej 50.5 milionë euro.
Bashkë me Rrugën e Arbrit, kontrata e të cilës është miratuar dhe ka hyrë në fuqi tashmë, këto dy akse plotësojnë të ashtuquajturin projekti i rindërtimit. Fillimisht ky projekt parashikonte katër koncesione të mëdha rrugësh, por njëri prej tyre ai i aksit Thumanë-Kashar, u pezullua pas skandalit me tenderin e unazës së Tiranës.
/a.meta