Një person me lidhje të ngushta me themeluesin e Wikileaks, Julian Assange, është arrestuar ndërsa përpiqej të largohej nga Ekuadori. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Brendshme e vendit, Maria Paula Romero, që sidoqoftë nuk e bëri publik emrin, por tha se ai ishte arrestuar për qëllime investigative. Një zyrtar qeveritar ndërkohë thotë për Associated Press se bëhet fjalë për Ola Binin, një projektues suedez softuerwsh.
E kjo ndodh një ditë pas arrestimit në Londër të vetë Julian Assange. Ky i fundit përballet tani me ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me një dënim deri në 5 vite burg, pasi u tërhoq me forcë nga Ambasada e Ekuadorit në Londër të enjten, duke i dhënë fund një ngërçi diplomatik që zgjaste prej 7 vitesh.
Pas 2487 ditësh në ambasadë, 47-vjeçari u arrestua pasi Ekuadori revokoi azilin e tij politik dhe ftoi Policinë Metropolitane të Londrës brenda ambienteve të ambasadës në Knightbridge, ku Assange qëndronte që nga 2012 për të evituar ekstradimin në Suedi në lidhje me akuzat për agression seksual, që vetë ai i ka mohuar gjithnjë.
Sidoqoftë, këto akuza janë rrëzuar tashmë, pavarësisht se Assange i druhej ekstradimit në SHBA ku mund të gjykohet për bërjen publike të një serie dokumentesh të rëndësishme. Të enjten pasdite, Assange u shpall fajtor për mosparaqitjen në gjykatë dhe përballet tani edhe me 12 muaj burg në Britaninë e Madhe.
/a.meta