Çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët për llogaritjen e viteve të punësimit e sidomos se çfarë tjetër u njihet si vjetërsi pune veç viteve normale të punësimit, si përshembull: koha e shërbimit ushtarak, lejet e lindjes etj.
Intervista me ekspertin Fadil Kepi
Sot do të flasim për testamentet. Çfarë është një testament? Kur bëhet ai dhe si bëhet? Cilat janë procedurat që duhen ndjekur? Cilat janë bazat ligjore të një testamenti?
Mbështetur në nenin 372 të Kodit Civil, të vitit 1994, që është në fuqi, dhe të Ligjit për Noterinë, testamenti është një veprim juridik, i kryer nga trashëgimlënësi me dëshirën e tij, me anën e të cilit personi i lë pasurinë e tij pas vdekjes, pjesëtarëve të familjes së tij, ashtu siç e gjykon të arsyeshme.
Flas nga Lezha. Jam 60 vjeçe. Kam rritur dy palë binjakë. Pensioni më ka dalë në vlerë minimale. Kam paguar 5 milionë lekë kontribute vullnetare të sigurimeve shoqërore dhe pensioni më ka dalë 90.000 lekë të vjetër në muaj. Kam 22 vite pune.
Unë i sugjeroj zonjës që të shkojë që nesër në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Lezhës. Atje duhet të bëjë një ankesë me shkrim drejtuar Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Lezhës. Llogaritja e viteve të punës dhe e vlerës financiare së pensionit bëhet nga specialistë. Aktualisht, në vendin tonë, për të marrë pension të plotë, nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë dalin në pension në moshën 55 vjeçe dhe u duhen 30 vite pune të siguruara dhe fëmijët e lindur, të jenë mbi 8 vjeç. Nënat e tjera që kanë lindur më pak se 6 fëmijë dalin në pension këtë vit në moshën 60 vjeçe e 10 muaj dhe për të marrë pension të plotë u duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Zonja nuk na i dha të sakta të dhënat e saj, por do të marrë përgjigje zyrtare nga Komisioni i Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Lezhës. Nëse zonja nuk do të bindet nga përgjigjja që do të marrë prej këtij komisioni, ka të drejtë t’i bëjnë një ankesë tjetër me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.
Flas nga Devolli, nga Korça. Në muajin tetor mbush moshën 65 vjeç për të dalë në pension. Disa vite kam punuar në kooperativë bujqësore. Disa vite më mungonin dhe i kam siguruar me proces gjyqësor, ndërsa për disa vite të tjera kam paguar kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore. Disa vite jam trajtuar me pension invaliditeti. A më njihen si vjetërsi për pension vitet kur jam trajtuar me pension invaliditeti?
Zotëria do të dalë në pension në moshën 65 vjeç, pra në tetor të këtij viti. Për pension të plotë do t’i kërkohen gjithsej 36 vite e 8 muaj punë të siguruar, nga mosha 16 vjeç e lart, pavarësisht se ku ka punuar. Si vjetërsi pune njihet edhe periudha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Zotëria ka vepruar shumë mirë duke paguar kontribute vullnetare të sigurimeve shoqërore, për të shtuar numrin e viteve të punës. Sqaroj se sipas nenit 58 të Ligjit për Sigurimet Shoqërore, periudha kur zotëria ka marrë pension të plotë ose të pjesshëm invaliditeti, i njihet si vjetërsi pune për pension pleqërie. Në rast se ditën kur zotëria të dalë në pension, në certifikatën familjare do të jenë dy pensionistë, pavarësisht se banojnë në qytet apo në fshat, ai do të përfitojë si kryefamiljar edhe kompensimin e energjisë elektrike prej 648 lekësh të rinj në muaj. Po e sqaroj zotërinë edhe për diçka tjetër. Këshilli i Ministrave, para dy ditësh, ka vendosur që koeficientin për rritjen e pagës për efekt pensioni, për vitin 2017, që deri në fund të vitit 2018 ka qenë 1, për ata që dalin në pension nga 1 janari 2019 e në vazhdim, paga e vitit 2017 do të shumëzohet me koeficientin 1,37. Pra ka hyrë në fuqi për ata persona që dalin në pension nga 1 janari i vitit 2019 e në vazhdim. Zotërinë e përfshin ky koeficient.
Jam një nënë me shumë fëmijë. Jam 57 vjeçe. Kam paguar 25 vite e 3 muaj sigurime shoqërore. Më duhen edhe 2 vite pune. A më njihen si vjetërsi pune për pension periudhat e leje-lindjeve të fëmijëve?
Nënat me shumë fëmijë, duke filluar nga 1 janari i vitit 2015, dalin në pension të plotë, me dëshirën e tyre, në moshën 55 vjeçe, kur kanë gjithsej 30 vite pune të siguruara, nga mosha 16 vjeçe e lart, pavarësisht se ku kanë punuar. Zonja është 57 vjeçe dhe nuk ka mundur të dalë në pension sepse nuk i ka pasur 30 vite punë. Si nëna me shumë fëmijë njihen ato nëna që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë dhe 6 nga këta t’i kenë rritur mbi 8 vjeç. Në qoftë se zonja ka punuar në ish-kooperativë bujqësore, lejet e lindjes së fëmijëve, nuk i njihen si vjetërsi pune për pension. Ndërsa po tëketë punuar në sektorë të tjerë i njihen. Sqarime më të hollësishme, zonja duhet të marrë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në qytetin ku ajo banon.
Mësuese Zana nga Tirana, na ka dërguar një mesazh, në të cilin shkruan: “Në datën 1 korrik të vitit 2018 mbusha moshën 60 vjeçe. Aktualisht kam 41 vite pune. Kur e plotësoj moshën për pension? Meqenëse punoj në shkollë shtetërore, a përfitoj shpërblim për lejen e zakonshme?”.
Mësuesja e nderuar do të dalë në pension të plotë më 1 maj të vitit 2019. Vjetërsi pune gjithsej i kërkohet 36 vite e 8 muaj, ndërsa mosha duhet të jetë 60 vjeçe e 10 muaj. Fatmirësisht mësuesja ka 41 vite pune dhe kështu ajo do të marrë një pension më të lartë sepse ka më shumë vite pune nga sa i duhet për të dalë në pension. Ligji për Sigurimet Shoqërore e ka përcaktuar qartë që, sa më shumë vite pune të ketë personi, aq më i lartë i del pensioni. Si rregull, mësuesët që japin mësim në shkolla shtetërore dalin në pension ditën kur plotësojnë moshën e caktuar. Mirëpo mësuese Zana del në pension më 1 maj, dhe mbeten edhe pak ditë deri në përfundim të vitit shkollor kështu që Drejtoriaa Arsimore mund ta ketë vështirë për ta zëvendësuar menjëherë. Gjithashtu duhet menduar edhe për nxënësit sepse kjo mësuese i ka ndjekur përgjatë gjithë vitit shkollor. Për këto arsye, Drejtoria Arsimore ka të drejtë që ta mbajë mësuesen në punë der në përfundim të vitit shkollor. Por, për çdo muaj, duke nisur që nga data 1 maj, që mësuesja do të vazhdojë të punojë, ajo do të marrë pension shtesë 0,5%. Meqenëse ajo punon në shkollë shtetërore, i takon leja e zakonshme me pagesë, për periudhën 1 janar 2019 deri në ditën kur do të dalë në pension. Po ashtu, mësuesve që punojnë në institucione buxhetore u takon edhe një rrogë mujore shpërblim. Në qoftë se edhe pas daljes në pension zonja do ta ndiejë veten të aftë për punë dhe do të dëshirojë të punojë, ajo mund të punësohet sërish në sektorë të tjerë ose edhe në shkolla shtetërore dhe të marrë njëkohësisht edhe pensionin së bashku me të gjitha shtesat që i takojnë, edhe rrogën në qendrën e punës ku ajo do të punojë, por do të paguajë normalisht kontributet e sigurimeve shoqërore.
Flas nga Durrësi. Interesohem për pensionin e ish-kooperativistëve. Im shoq ka dalë para 2 vitesh në pension. Ka punuar 25 vite. Ai është edhe një ish-i dëbuar nga qyteti në fshat në periudhën e regjimit komunist, por vërtetimin nuk ka arritur ta marrë dhe tani nuk përpiqet më se është lodhur shumë. Përse nuk llogariten si vjetërsi pune normat apo ditët e punës më tepër që ka realizuar në kooperativën bujqësore ndërkohë që për një normë apo një ditë pune të munguar, nuk i njihet i gjithë viti?
Ka një ligj me nr. 7514, i datës 30 shtator 1991, ku thuhet që të gjithë të dënuarit politikë që kanë kryer dënime me heqje të lirisë, i njihet si vjetërsi pune për pension: 1 vit dënim = 2 vite pune. Zotëria nuk ka qenë i dënuar me burg, por ka qenë i dëbuar. Periudha kur ai ka qenë i dëbuar ose i internuar, njihet si vjetërsi pune: 1 vit dëbim ose internim = 1 vit punë, por që nga mosha 15 vjeç. Vërtetimin që zotëria ka qenë i internuar ose i dëbuar do ta marrë në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Pasi ta marrë vërtetimin, duhet ta dërgojë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës.
Burrave që kanë punuar në kooperativë bujqësore, si vit i plot punë i njihet atëherë kur kanë realizuar 280 ditë pune në një vit kalendarik, nga mosha 16 vjeç e lart. Në qoftë se zotëria nuk ka realizuar 280 ditë pune, nuk do të thotë që nuk i llogaritet fare ai vit. Jo. P.sh. në qoftë se ka realizuar 140 ditë pune, atëherë i njihen si 6 muaj punë. Në një muaj, zotëria duhet të ketë realizuar 24 ditë pune. Nëse do të ketë 48 ditë, i njihen si 2 muaj punë. Por zonja ka një të drejtë sepse vendimi i Këshillit të Ministrave të asaj periudhe, me nr. 474, i vitit 1977, thotë që vit i plotë pune në kooperativë bujqësore njihet për gratë kur kanë realizuar 230 ditë pune në një vit kalendarik ose 20 ditë pune në një muaj kalendarik, ndërsa për burrat: 280 ditë pune në një vit kalendarik ose 24 ditë pune në një muaj kalendarik. Ka pasur shumë raste, kur burra të shëndetshëm kanë realizuar më shumë ditë pune. Në fakt, ligji ka një defekt: 280 ditë pune njihen si një vit vjetërsi, por edhe 300 apo 400 ditë pune njihen po si një vit vjetërsi, por këtë defekt nuk mund ta rregulloj unë./raport.tv
/a.meta