Stafi koncesionarit “TIA” dhe i shoqërisë “ICTS Albania” që është ngarkuar për të siguruar rendin dhe qetësinë e aeroportit “Nënë Tereza” rezulton të mos ketë bashkëpunuar në kohë më Policinë e Shtetit. Kjo pasi gjatë analizimit të kamerave filmike ka dalë qartë se operatorët e sallës së monitorimit të kamerave nuk kanë dhënë në kohë alarmin, duke mos raportuar në kohë efektivët e policisë që ndodheshin shumë afër.
Kamerat e sigurisë së aeroportit kanë filmuar gjithçka, por ajo që çedoi dhe që ngjall vërtetë dyshime për abuzim me detyrën është faktori njerëzor që nuk ka bërë detyrën ashtu siç duhet, duke mos raportuar në kohë ngjarjen. Sipas burimeve të policisë komandoja e grabitësve e përbërë nga katër vetë dhe e maskuar me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve” dhe “Hetimi Tatimor” është filmuar në çdo veprim që grabitësit kanë kryer. Por, çuditërisht monitoruesit e kamerave nuk kanë raportuar situatën e pakëndshme, që po zhvillohej tek njëra nga dyert e emergjencës, nga e cila fushesh në pistën e avionëve. Tropojani Admir Murataj së bashku me tre bashkëpuntorët e tij, janë filmuar duke tërhequr zvarrë me furgon barrierën e betonit, që bllokonte kalimin.
Pas këtij filmimi, sërisht nga kamerat, njëri prej tyre ka prerë zinxhirin bllokues të derës me gërshërë çeliku dhe më pas gjithcka ka qënë e lirë për të hyrë në pistë. Mirëpo edhe pse këto veprime janë filmuar çdo sekondë nga kamerat, nga ana e stafit të sigurisë së aeroportit, nuk është dhënë asnjë alarm i kuq, për Policinë e Shtetit që ndodhej aty pranë. Gjithmonë sipas burimeve të policisë, stafi i sigurisë i shoqërisë “ICTS Albania”, nuk ka reaguar edhe kur furgoni i bardhë i autorëve, ka hyrë brenda në aeroport, por sinjali i kuq dhe njoftimi i policisë është dhënë vetëm kur katër persona të armatosur janë parë në pranë avionit, teksa rrëmbejnë thasët me para nga hambari i tij dhe i fusin në furgon, e më pas tërhiqen. “Shqiptarja.com” mëson se një patrullë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka ndërhyrë menjëherë sapo ka marë njoftimin nga “ICTS Albania” dhe komisariati i Rinasit, por është penguar nga vetë stafi i “ICTS Albania”, pasi dera ku është kërkuar të futej policia, nuk hapej.
Murataj mbeti i vetëm tek furgoni
Në këto kushte policisë i është dashur të rrotullohet rreth pistës së aeroportit dhe më pas të vihet në ndjekje të grabitësve, të cilët ashtu siç hynë me furgonin e bardhë, ashtu dhe u larguan pa u bllokuar nga askush. Në ndjekje e sipër patrulla e policisë ka shkëmbyer disa herë zjarr me grabitësit. Rreth 2 km larg pistës së aeroportit, autorët kanë qëndruar duke u ndarë nga njëri-tjetri. Mësohet se i vetmi që ka qëndruar në furgon me qëllim që ti vinte zjarrin ka qënë Admir Murataj, i cili për të mbajtur sa më larg policinë ka vijuar të qëllojë me armë drejt efektivave.
Por edhe këta të fundit i janë kundërpërgjigjur me armë, duke e goditur me një plumb në kokë, çka solli vdekjen e menjëhershme të Admir Murataj. Policët i janë afruar dhe kanë zbuluar se ai ishte i maskuar me një maskë silikoni, ndërkohë që nuk kanë konstatuar asnjë mjet indetifikimi të tij. Zbardhja e identitetit të Murataj është bërë vetëm falë krahasimit të gjurmëve të gishtave të tij me ato që ishin marë në Greqi. Ky proces është kryer nëpërmjet bashkëpunimit të policisë shqiptare dhe asaj greke, duke arritur të konfirmohet se gjurmët e gishtave janë të tropojanit Admir Murataj.
/Shqiptarja.com/a.r