Barcelona ka fituar duelin e parë të çerekfinaleve të Champions League ndaj Manchester United.
Katalanasit kanë mposhtur 1-0 “Djajtë” në Old Trafford, një rezultat i mirë jashtë fushe ndaj një United që ka zhgënjyer.
Barcelona e nisi shumë mirë ndeshjen dhe në minutën e 12’ gjeti golin e avantazhit.
Ishte Lionel Messi ai që futi një kros në shtyllën e dytë për Luis Suarez i cili goditi me kokë drejt portës. Topi është devijuar nga mbrojtësi Luke Shaw dhe përfundoi në rrjetë.
Në fillim anësori e anuloi për pozicion jashtë loje, por pas konsultimit me VAR, goli u quajt i rregullt dhe ashtu ishte.
Ky është autogoli i 8-të i shënuar nga Djajtë në historinë e Champions League, më tepër se asnjë skuadër tjetër.
Sfida mbeti e hapur dhe të dyja skuadrat kanë pasur mundësitë e tyre për të shënuar, por pa sukses. Sfida ka përfunduar me avantazhin e ngushtë të katalanasve.
***
Juventus ka marrë një barazim me shijen e fitores në çerekfinalen e parë të Champions League të luajtur në fushën e Ajax-it. Holandezët kanë krijuar më shumë, por nuk kanë arritur të finalizojnë në mënyrën e duhur.
Skuadra e Allegri-t, si zakonisht, është treguar cinike dhe ka shfrytëzuar te vetmen gjuajtje që ka bërë në kuadratin e portës me të përhershmin Cristiano Ronaldo, i cili ka mposhtur portierin Onana me një goditje të fuqishme me kokë në fundin e pjesës së parë.
Me këtë gol, Ronaldo ka kapur Zlatan Ibrahimovic në kreun e renditjes së lojtarëve që kanë shënuar më shumë gola në ndeshjet e Champions League të luajtura në fushën e Ajax-it: 6. Vetëm kundër Bayern (9) dhe Juventus (10), CR7 ka shënuar më shumë në kompeticionin europian më të rëndësishëm për klube.
Reagimi i skuadrës së Ten Hag ka ardhur tri minuta pas fillimit të pjesës së dytë, me brazilianin Neres që ka dërguar topin në rrjetë me një goditje të bukur në limitet e zonës së rreptësisë, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Szczesny-t dhe duke fiksuar shifrat në 1-1.
Takimi i luajtur në “Johan Cruyff Arena” është mbyllur pa fitues, të paktën në letër, sepse ky rezultat favorizon më shumë skuadrën e Allegri-t për ndeshjen e kthimit, që do të luhet në “Allianz Stadium” 16 prillin e ardhshëm.