Detaje të tjera dalin në dritë pas grabitjes së bujshme të ndodhur pasditen e kësaj të marte në aeroportin e Rinasit. Grabitësit kanë hyrë nga një portë në fund të aeroportit ku qëndron zakonisht shërbimi zjarrfikës. Porta ndodhet në krahun e fshatit Larushk.
Ishin disa banka që po transportonin kartëmonedhat jashtë vendit. Grabitësit kanë arritur të marrin një pjesë të tyre.
Në momentin që po grabitej shuma e parave, punonjësi i zjarrfikëses ka thënë se është prerë dera dhe biseda është dëgjuar nga FNSH-ja dhe policia e Rinasit, të cilët janë vënë në lëvizje. Pasi janë vënë në ndjekje të autorëve, policia ka parë grabitësit në përpjekje për të djegur furgonin me të cilin ishin marrë paratë në aeroport. Me të pikasur forcat e rendit, ka nisur përplasja me armë, duke i shkaktuar vdekjen njërit prej autorëve.
Grabitësit po i priste një tjetër mjet ku kanë ngarkuar paratë dhe janë larguar, duke braktisur furgonin e parë pa arritur ta djegin.
Duke qenë se policia nuk kishte fushëpamje të mjaftueshme janë tërhequr përkohësisht, për të vëzhguar autorët e grabitjes, të cilët janë larguar për në fshatin Çekrezë me makinën e dytë. Atje, e kanë djegur atë dhe janë arratisur përfundimisht në drejtim të paditur.
Furgoni i parë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga ana e policisë.