Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan do të mbahen më 19 maj.
Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.
Në deklaratën e përbashkët, ish-kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, i Zveçanit, Vuçina Jankoviq, i Leposaviqit, Zoran Todiq, dhe i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, kanë thënë se me këtë taksë, “serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, shërim dhe mbijetesë”.
Qeveria e Kosovës, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për heqjen e taksës, ka thënë se ajo do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
/a.rada