Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ishte në Bashkinë e Cërrikut ku zhvilloi takime me fermerë të kësaj zone.
Kryemadhi u njoh nga afër me problematikat që hasin fermerët, për të cilat tha se ata ndihen të papërkrahur dhe të pashpresë.
Kryetarja e LSI tha se subvencionet janë zero për fermerët, ndërsa nënvizoi domosdoshmërinë për të mos harruar fermerët, për të mos harruar bujqësinë shqiptare, si sektori që mban barrën kryesore të ekonomisë shqiptare.
“Ndihen të pashpresë, ndihen të papërkrahur, ndihen dhe të vetmuar në të gjithë angazhimin e tyre dhe në iniciativën e tyre që duan të bëjnë diçka për familjet e tyre.
Mos të harrojmë që 20% e GDP-së, vjen si rezultat i bujqësisë shqiptare dhe subvencioni që vjen nga shteti nuk është as 0.7% e Buxhetit të Shtetit në ndihmë të fermerëve dhe të blegtorëve”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se nga malësitë e Dibrës dhe sot nga fushat e Cërrikut, apo edhe nga kodrat e mrekullueshme të Dumresë, shihen se problemet janë të njëjta, si për blegtorët, ashtu dhe për pemtarët, ashtu dhe për fermerët, por edhe për ata që kanë investuar në serat e tyre edhe pse subvencionet janë zero.
“Ku çmimet janë shumë të larta për plasmasin, për hekurin. Ku ata paguajnë fatura shumë të larta të energjisë elektrike, për pompat e ujit, apo fatura të larta të ujit për vaditje.
Prandaj është e domosdoshme për të mos i harruar fermerët, për të mos harruar bujqësinë shqiptare, sepse bujqësia shqiptare është ajo që mban barrën kryesore të ekonomisë shqiptare”, deklaroi ndër të tjera Monika Kryemadhi.
/a.rada