Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla mori pjesë në Asamblenë e Unionit Ndër-Parlamentar në Doha të Katarit, e cila mblodhi së bashku anëtarë nga më shumë se 170 parlamente të botës, nën moton “Për Demokracinë, për këdo”, ku pati zhvilluam takime me delegacione të parlamenteve të vendeve të ndryshme.
Ai bën me dije se tema e bisedave ishte në tërësi bashkëpunimi ndërparlamentar, ndërsa në veçanti me deputetë të vendeve anëtare të BE si Gjermania, Italia, Rumania, Greqia etj., shkëmbyen mendime dhe ndanë informacione mbi hapat e hedhura nga Shqipëria në procesin e integrimit europian.
Gjithashtu gjatë punimeve të Asamblesë Balla bën me dije se pati një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste Luis Ayala.
Ai informon se Ayala i tha se në asnjë prej 170 vendeve të Unionit Ndërparlamentar nuk ndodh që opozita të djegë mandatet e popullit në mënyrë aq të papërgjegjshme siç bënë PD dhe partia tjetër më e vogël (LSI) në Shqipëri.
“Në vend që të bënin opozitë duke kritikuar dhe sjellë alternativën e vet, opozita në Shqipëri, një vend çdo ditë e më shumë pranë BE, ka zgjedhur rrugën e akteve vandale, protestave të dhunshme dhe djegien e mandateve si veprim të paprecedentë në Europë. Opozita mund të kritikonte ashpër qeverinë në Kuvend, madje mund të organizojë edhe protesta paqësore në rrugë, por ajo ka zgjedhur largimin e pakthyeshëm nga asambleja e popullit dhe sulmet e dhunshme ndaj këtij institucioni, por siç jam informuar kanë dhunuar edhe të zgjedhurit në Parlamentin shqiptar. Kjo është jo vetëm dëshmi e qartë e një sjellje anti-institucionale, por edhe një përpjekje për të penguar progresin e arritur nga Shqipëria, sidomos në rrugën e anëtarësimit në BE. Qoftë dorëheqjet nga mandatet e popullit, qoftë dhuna e opozitës janë të motivuara nga interesi i ngushtë i drejtuesve aktualë të opozitës në Shqipëri, interes i cili nuk ka asgjë të përbashkët me interesin e Shqipërisë dhe as atyre shqiptarëve që kanë votuar opozitën”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm Ayala.
Po ashtu sekretari i Internacionales Socialiste, nënvizoi se e vërteta është se opozita, e gjendur në nivelin më të ulët të mbështetjes elektorale, çka sipas tij vërtetohet edhe nga sondazhet e ndryshme, është e frikësuar nga zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Më i frikësuari është Basha, i cili rrezikon të përballet me humbjen e tretë radhazi, çka do i hapte probleme serioze brenda në parti. Pikërisht prandaj opozita është e gatshme të bëj çdo gjë, duke përfshirë aktet e dhunshme, bojkotin përfundimtar të institucioneve, cenimin e imazhit të Shqipërisë, rrezikimin e hapjes së negociatave me BE, apo ngadalësimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik”, u shpreh Ayala.
/a.rada