Kanë dalë sot para Gjykatës së Lezhës, për tu njohur me masën e sigurisë, Armand Lukani dhe motra e tij Amelda Elezi.
Ata janë shoqëruar mes lotësh në gjykatë, ku do të vendoset masa ndaj tyre.
Mësohet se e 21-vjeçarja është shtatzënë, ndërkohë që ka shpërthyer në të qara dhe ulërima gjatë shoqërimit në seancë.
I përlotur është parë edhe 23-vjeçari, i cili është shoqëruar pas të motrës.
Babai i tyre duke folur për mediat tha se familja është në kushte të vështira ekonomike dhe se ditën që u kapën me mina ishin nisur për në punë.
Ai ka treguar se djali punonte në bujqësi, duke hedhur dyshime se dikush i ka përdorur.
Po ashtu për shkak të pamundësisë ekonomike, të rinjtë nuk kanë pasur avokat, duke iu caktuar nga shteti.
Policia e Lezhës sekuestroi tre mina të montuara me telekomandë të shpërthimit në distancë, 2.3 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë si dhe një telefon celular.
Krahas vëllait dhe motrës nga Vlora të arrestuar katër ditë më parë, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit E.E., 27 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë.
Dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë të hënën në qytetin e Lezhës, pasi nga kontrolli në çantat e tyre u gjetën të fshehura 3 mina me shpërthim të telekomanduar nëpërmjet celularit, si dhe një sasi prej 2.3 kg lënde narkotike e dyshuar marijuanë.
Ata akuzohen për veprat penale “Trafikimi i lëndëve plasëse” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. /a.rada
Një djalë dhe një vajzë kapen me tre mina me telekomandë, iu gjendet dhe drogë on Vidnews.