Disa hetues të përfshirë në procesin dy vjeçar hetimor të fushatës presidenciale të zotit Donald Trump në vitin 2016, thonë se gjetjet e raportit të paraqitur nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller janë shumë më dëmtuese për presidentin sesa ajo që është bërë e ditur deri tani nga kreu i Departamentit të Drejtësisë William Barr. Njoftimet u bënë të mërkurën vonë nga dy gazetat amerikane “New York Times” dhe “The Washington Post”.
Më 24 mars zoti Barr publikoi një përmbledhje prej katër faqesh mbi raportin e zotit Mueller, ku shkruante se Prokurori i Posaçëm nuk kishte gjetur asnjë provë për bashkëpunim të fshehtë mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe Rusisë, për të ndikuar procesin zgjedhor në favor të tij.
Pavarësisht vendosmërisë së zotit Barr se raporti nuk e nxjerr plotësisht të pafajshëm presidentin, vetë ky i fundit ka ngulur këmbë se hetimi e ka pastruar atë plotësisht nga ndonjë veprim i paligjshëm.
“Nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë. Nuk ka patur asnjë përpjekje për të penguar drejtësisë apo çfarëdo qoftë. Raporti ishte një shfajësim i plotë”.
Por sipas dy gazetave “New York Times” dhe “The Washington Post”, ndihmësit e zotit Mueller u kanë thënë personave të tretë, se zoti Barr nuk arriti t’i paraqiste në mënyrën e duhur gjetjet e hetimit të tyre, dhe se provat që ishin mbledhur lidhur me pengimin e drejtësisë ishin “alarmante e domethënëse”.
Ndërkohë komisioni juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, votoi të mërkurën sipas linjave partiake për të autorizuar kryetarin Jerry Nadler të kërkojë zyrtarisht kopjen e plotë të raportit përfundimtar të zotit Mueller si dhe provat ku është mbështetur ai.
/a.meta