Zv/kryeministri Erjon Braçe ishte sot në Vlorë dhe në Patos që në orët për të monitoruar zbatimin e orarit të punës në disa institucione. Më pas, i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Patosit dhe deputetja socialiste Dhima vizituan ambientet e reja të këshillit bashkiak. Braçe ka bërë edhe disa deklarata politike referuar situatës, pas protestave të opozitës.
I pyetur si i komenton deklaratat e ish-ministrit Bushati dje në parlament se duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët, ai tha se për të arritur atë duhet dialog, por opozita ndodhet në rrugë dhe kryetari i saj, Basha sorollatet në Bruksel dhe Berlin. Zv/ kryeministri deklaroi se zgjedhjet e 2017 janë legjitime dhe të certifikuara nga ndërkombëtarët, prandaj kurrsesi nuk është gati për të folur për zgjidhje që bien në kundërshtim me Kushtetutën. “Në 1993 ishim në një situatë që…tani në 1 mijë metra katrorë të Tiranës protestohet për liri dhe demokraci, atëherë ka ardhur policia na ka nxjerrë nga selia e PS-së këtu. Kjo histori nuk do të përsëritet më as me ata që protestojnë. Që të gjesh gjuhën e përbashkët duhet patjetër që të jenë 2, 3, 4 apo 5.
Ne jemi legjitim në Kuvendin e Shqipërisë. Unë nuk di të kemi marrë pushtet ilegjitim. Mënyra si kanë votuar qytetarët është certifikuar nga ndërkombëtarët që e konsideron qeverinë dhe parlamentin legjitim. Është e tepërt që të komentoj palën tjetër, që është opozita e vjetër, e vjetër edhe si histori edhe për shkak të personazheve që e kryesojnë. Iu kujtova cfarë ka ndodhur në 1993, ndërkohë që lideri i opozitës ishte në burg, sot është në Bruksel, Berlin, sorollatet lart e poshtë dhe njerëzit i lë aty në mes të katër rrugëve. Nga Shkodra në Sarandë nuk ka një votë të kontestuar nga një komisioner i PD-së që legjitimon qeverinë socialiste. Është i dobishëm dialogu, por më e dobishme ligjshmëria, nuk i jam i gatshëm për të folur për zgjidhje ekstraligjore dhe Kushtetuese, që i vijnë ndesh ligjit” tha Braçe.
Në protestën e djeshme para parlamentit, që ishte e teta nga opozita pas 16 shkurtit, mungoi lideri demokrat Lulzim Basha i cili ndodhej në Gjermani në takime me përfaqësues të CDU-së, duke shënuar të dytën mungesë siç ndodhi më 21 mars.
g.kosovari