Ministria e Arsimit ka përmbushur pjesën më të madhe të zotimeve në kuadër të Paktit Për Universitetin, tani është momenti që edhe universitetet si ai i Tiranës të tregohen të gatshëm për të bërë pjesën e tyre në përmbushjen e kërkesave të studentëve.
Këtë mesazh dha nga studio e ERTV-së, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini e cila informoi mbi ecurinë e plotësimit të kërkesave studentore, duke theksuar se pakti është një proces dialogu në vazhdim që do të sjellë cilësi në botën universitare.
“Artikulimi kryesor i studentëve ishte për çështjet financiare. Ne e morëm seriozisht kërkesën dhe erdhëm me një propozim financiar, përgjysmimin e tarifave dhe bursat për ekselentët. Kjo afekton 90 % të studentëve shqiptarë, familjeve të afër 100 mijë studentëve u lehtësohet buxhati finaciar”, tha ministrja.
“Janë rreth 10 mijë studentë që përfitojnë bursa dhe një pjesë e këtyre studentëve nuk i kanë tërhequr ende bursat për dy arsye, një për shkak se ende nuk kanë sjellë numrin e llogarisë bankare dhe e dyta kanë patur një problem tjetër si mungesë dokumentacioni. Ne i kemi kërkuar universiteteve që të zgjasin afatin e aplikimeve për këta studentë”, shtoi Shahini.
Sipas Ministres, një problem tjetër i çuditshëm që ekziston në Universitetin e Tiranës ka të bëjë me pengesat që ka shkaktuar munesa e një sistemi të teknologjisë së informacionit, që ka sjellë vështirësi të aksesit në bibliotekën dixhitale.
Biblioteka dixhitale-deklaroi Shahini-është hapi i parë për rikonceptimin e mënyrës së rritjes së cilësisë.
“Ne prezantuam bibliotekën dixhitale që ofron miliona botime akademike dhe module të gjuhës së huaj falas online. Por e kemi të vështire t’u bëjmë aksesin falas studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, ngaqë ata nuk kanë adresa zyrtare. 70 mijë studentë sot kanë akses falas online në bibliotekën dixhitale. Studentët e UT-së duhet të presin pak që të bëjmë një zgjidhje ekstra për ta”, tha Shahini.
Ministrja shtoi se qeveria nuk u mjaftua vetëm me punësimin e ekselentëve në adminsitratë, sepse tashmë ministritë tona do të kontraktojnë për shërbime konsulence edhe universitetet, duke i dhënë këtyrë fundit mundësinë që të fitojnë të ardhura shtesë.
Ndërsa tre universitete kanë përfunduar procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të studentëve në bordet akademike, Shahini u bëri thirrje atyre universiteteve që nuk e kanë mbyllur këtë proces, që të organizohen dhe të inkurajojnë studentët që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Drejtuesja e arsimit në vend njoftoi se në fund të kësaj jave do të takojë rektorët, për të marrë propozimet e tyre mbi realizimin e procesit të vlerësimit të titujve akademikë të pedagogëve.
/a.rada