Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar me studentë dhe pedagogë në kuadër të Paktit për Universitetin, Kryeministri Rama tha se i vetmi nga drejtuesit i cili nuk e di se ka ndodhur një protestë studentore, është rektori i Universitetit të Tiranës.
Kreu i qeverisë theksoi përpara studentëve dhe pedagogëve se Ligji për Arsimin e Lartë ju jep fuqinë e mjaftueshme studentëve për të vendosur përpara përgjegjësisë drejtuesit e universiteteve si dhe rektorët.
“Unë besoj që ligji aktual i Arsimit të Lartë, fuqia që ligji i jep senatit dhe fuqia që u jep të gjitha strukturave të tjera janë të mjaftueshme, që rektori të reagojë brenda 24 orëve. Dhe kjo është rruga më e shëndetshme, e cila do të zgjidhë dhe do të vendosë një standard tjetër të rektoratit me pjesën tjetër. E vetmja gjë që nuk ka pësuar asnjë lloj lëvizje, në asnjë lloj drejtimi nga e gjithë ajo që u krijua, është “xhaketa” e rektorit të Universitetit të Tiranës. Se ka ndodhur, se nuk ka ndodhur protesta, i vetmi që nuk e ka marrë vesh dhe që nuk e di që ka ndodhur një protestë është xhaketa e rektorit”, – theksoi Rama.
Argumentet që parashtroi Kryeministri, sipas tij nuk janë për të shmangur përgjegjësinë, por për të ilustruar se autonomia është edhe përgjegjësia e studentëve.
“Kjo është pikëpyetje në radhë të parë për ju si studentë. Se nesër do të shkoni në fakultet dhe prapë nuk do të punojë ai sistem. Dhe ju ça do bëni? Do vijë një ditë dhe do shkoni te Ministria dhe do thoni që na hiqni rektorin. Rektorin e keni aty, e keni dhe më afër se Ministria. Kjo nuk është për të shmangur përgjegjësinë, por për të ilustruar se autonomia është edhe përgjegjësia juaj”, – u shpreh Rama.
/a.rada