Pas takimit me ministrin e Brendshëm, i cili zgjati rreth 1 orë 30 minuta, prefekti i qarkut të Shkodrës, Valdrin Pjetri ka folur për mediat lokale, ku ka zbardhur edhe një pjesë nga ajo se çfarë është diskutuar.
Ai tha se bëhet fjalë për një vëmendje të shtuar nga qeveria shqiptare për qarkun e Shkodrës, sigurinë e jetës së qytetarëve si dhe nisjen e punës sa më parë për të garantuar vijimin e mbarë të sezonit turistik. Sipas prefektit, në takim për pos kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut ishin edhe disa aktorë dhe faktorë përfaqësues nga Doganat dhe Tatimet.
“Takimi i sotëm është fokusuar mbi agjendën dhe punë që qeveria shqiptare do të zhvillojë në qarkun e Shkodrës. Bëhet fjalë për një vëmendje të shtuar në qarkun tonë dhe detajet e tjera besoj i shpalli shumë qartë ministri në zyrën e prefekti.
Ishte ministri, ishte drejtori i Policisë së Shtetit, ishte drejtori i qarkut dhe një sërë aktorësh si Dogana dhe Tatimet, që behët fjalë për një mbarëvajtje të punës sonë në vijon, këtu përfshihet edhe sezoni turistik që është duke trokitur dhe zyra jonë ka filluar të marrë masat që të kemi një sezon sa më të saktë, të mirë organizuar në mënyrë që t’u lehtësohet jeta shkodranëve, banorëve të qarkut tonë si dhe të ardhurve që do të jenë turistë”, tha ai.
I pyetur nga mediat se nëse ka qenë pjesë e diskutimeve rasti i kërcënimeve të disa përfaqësuesve të klubit të Vllaznisë, Pjetri dha këtë përgjigje: “Nuk ka qenë pjesë e diskutimeve në mbledhjen tonë. Nuk kemi asgjë zyrtare për këtë, të paktën ne si prefekturë dhe nuk e di nëse Policia e Shtetit e ka këtë informacion ose jo”, përfundoi ai.
/a.rada