Dy deputetët e Bundestagut, Peter Bayer dhe Christian Schmitt, e kanë përsëritur edhe në Beograd para syve të Vuçiç qëndrimin e kancelares Angela Merkel, se Gjermania është kundër idesë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Gjermania është e angazhuar për të gjetur mënyra që të intensifikohet dialogu, në mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti e prosperiteti ekonomik dhe gjithashtu do të angazhohet për të mos pasur ndryshim të kufijve”, kanë thënë deputetët gjermanë në tryezën e takimit me kreun e shtetit serb.
Në anën tjetër Vuçiç është ankuar për taksën që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve serbe, duke kërkuar nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian që të bëjnë më shumë presion për heqjen e asaj mase e cila, sipas tij, e ka bllokuar dialogun e Brukselit.
Siç njofton zyra për media e presidencës gjithashtu presidenti serb ka bërë thirrje për përmbushjen e marrëveshjes së Brukselit, duke kërkuar kështu edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
“Ata kanë vendosur masa anticivilizuese për produktet serbe dhe të Bosnjës, dhe kanë miratuar një platformë që është plotësisht në kundërshtim me vazhdimin e dialogut”, citohet të ketë thënë Vuçiç.
Vuçiç e ka pranuar se për çështjen e Kosovës kanë qëndrime të kundërta me shtetin gjerman, por thotë se gjermanët e dinë se çfarë kërkon pala serbe, dhe gjithashtu edhe vetë Serbia e di se çfarë po kërkon Gjermania.
“Unë jam i hapur të dëgjoj njerëzit inteligjentë dhe idetë e atyre që dëshirojnë të vendosin paqe në rajonin e Ballkanit”, është shprehur Vuçiç.
Në fund kreu i shtetit serb ka thënë se Gjermania është një nga partnerët më të fuqishëm ekonomikë të Serbisë.
Qëndrimin kundër korrigjimit të kufijve, dy deputetët gjermanë e kanë përsëritur edhe gjatë vizitës së tyre në Kosovë.
g,kosovari