Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, deputeti socialist Spartak Braho ka akuzuar pedagogun dhe shkrimtarin Agron Tufa, se po nxin historinë.
Braho tha se Tufa, me punën e tij tek Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, po njollos historinë e luftës Nacional-Çlirimtare dhe heronjtë e saj.
Braho madje kërcënoi Tufën se do kërkojë shkarkimin e tij.
“Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, përfshirë luftën, heronjtë. Nuk ka asgjë shkencore në analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, s’ka pse të ngatërrohet me politikën. S’ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligj. Ka shumë helm në veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte, nuk e votoj këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes“, tha Braho.
Por përgjigjen ia ka kthyer vetë Tufa. Pedagogu shkruan në rrjetet sociale, se nga njerëz si Spartak Braho iu rrezikohet jeta shqiptarëve çdo ditë.
“Miq të nderuar, Dhuratën më të çmuar sot për ditëlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash perfaqësuesi i zi i ish Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit”,-shkruan Tufa.
/a.rada