Një prej të burgosurve në IEPV-në e Beratit ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë në orët e para të mëngjesit të sotëm. 38-vjeçari, Bujar Murati nga fshati Lybeshë në Poliçan u vetëvar në qelinë e tij në 13 Mars 2019.
Ai vuante prej disa muajsh dënimin në IEPV-në e Beratit për “mashtrim” dhe u gjet i vetëvarur në qelinë e tij nga gardianët e turnit dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal të Beratit.
Mjekët e këtij Spitali konfirmuan atë mbrëmje se Murati kishte pësuar vdekje klinike dhe kishte mbërritur në spital në gjendje kome.
Për këtë arsye mjekët e Repartit të Urgjencës së Spitalit të Beratit e nisën me ambulancë në Spitalin e Traumës në Tiranë për një trajtim më të specializuar. Por 38-vjeçari me gjithë trajtimet e marra për rreth 2-javë nuk ka mundur dot t’i shpëtojë vdekjes.
Ai ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe është përcjellë nga familjarët për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes në Lybeshë.
g.kosovari