Në prag të zgjedhjeve lokale, Kryeministri Rama ka sulmuar kryebashkiakun demokrat të Kavajës Isa Sakja si një individ që nuk ka vizion tjetër për zhvillimin e qytetit veçse ndërtimit të pallateve.
Gjatë vizitës në shkollën profesionale me profil bujqësor në Golem, të rikonstruktuar me një buxhet prej 250 milionë Lekësh Rama, u informua për gjendjen e konvikteve që janë varësi të Bashkisë së Kavajës dhe që nuk kanë njohur asnjë investim, ndaj ai kërkon ndryshim të kësaj kompetence dhe merr përsipër ndërhyrjen.
“Ai është pallatexhi. Të bëhet një projekt për konviktet dhe bëjmë konviktin si pjesë e shkollës dhe t’ia lëmë shkollës, ose të gjejmë një formë administrimi se Bashkia këtu nuk ka ndërmend të bëjë as konvikte as shkolla. Bashkia këtu ndërton pallate në rërë, akoma sot e gjithë ditën dhe s’kanë faj përderisa sot akoma s’ka ardhur dora e prokurorisë. Ndërkohë bëni projektin ose në qoftë se e keni çuar në Bashki ta merrni mbrapsht. Ta bashkojmë shkollën me konviktin dhe të gjithë këtë ta bëjmë si kampus për nxënësit”.
Në Durrës Rama ka inspektuar dhe qendrën shëndetësore Nr.6 të rehabilituar.
/a.rada