Vazhdon diversionin e tij lideri i PBDNJ-se. Vangjel Dule tha nga Korça se kryeministri Edi Rama duhet të rrëzohet me patjetër dhe se ndjen mëshirë për të.
Kreu i PBDNJ-s nënvizon se pas rrëzimit të tij duhet t’i hapet rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Duke ju drejtuar realitetit tonë, duhet të përqendrohemi tek kryefjala e kërkesës mbarëpopullore në vendin tonë, që është largimi i qeverisë së Edi Rames dhe hapjes së rrugës së zhvillimit të zgjedhjeve të lira, produkt i të cilave do të jetë një qeveri e re. Ajo do të ju garantojë shqiptarëve mirëqenie, arsim dhe perspektivë evropiane”, tha kreu i PBDNJ-së.
Sa i përket vendimit të Karamelos, për marrjen e mandatit, Dule thotë:-“ As Karamelo, as të ngjashmit e tij nga çdo drejtim që mund t’i bashkëngjiten Ramës, nuk mund të shërbejnë si kamerdare shpëtimi. Janë thjesht fenomene, që në jetën politike të çdo vendi, janë kalimtare dhe nuk mund të kenë asnjë kontribut dhe asnjë domethënie.
Rrjedhimisht duhet të jemi të gjithë më të vendosur se kurrë, që ti përgjigjemi kërkesës popullore; të largohet z Rama, të largohet qeveria e tij. Qytetaret duhet të kenë të drejtën që ka çdo qytetar i vendeve të lira dhe të civilizuar, të drejtën e votës. Vota të mos blihet më me thasë mielli, me shlyerje të detyrimeve të OSHEE-së, të ujësjellësit, por të shprehin vullnet politik”, tha Dule. (TemA)