Ku e mori Sokrati, figura themelore e filozofisë perëndimore, frymëzimin për idetë e tij origjinale për të vërtetën, dashurinë, drejtësinë, guximin dhe dijen? Studimi i ri që kam kryer, zbulon se kur ishte i ri në Athinën e shekullit V-të Para Erës Sonë, ai u takua me një grua tepër të zgjuar, Aspasinë e Miletit.
Unë argumentoj se idetë e saj mbi dashurinë dhe transhendencën, e frymëzuan Sokratin për të formuluar aspekte kyçe të mendimit të tij (siç dëshmohet edhe nga Platoni). Nëse pranohet dëshmia për këtë tezë, historia e filozofisë do të ketë marrë një kthesë të rëndësishme:një gruaje, që është fshirë padrejtësisht nga historia, duhet t’i njihet merita e hedhjes së themeleve të traditës filozofike 2500-vjeçare.
Një pikturë neoklasike e artistit të shekullit të 19-të, Nikolas Monsio, e tregon Sokratin të ulur në një tavolinë përballë një Aspasie të veshur bukur. Ushtari i ri i bukur, Alcibiades, i vëzhgon që të dy në këmbë. Imazhi prek perspektivën standarte të Sokratit:si i varfër dhe i shëmtuar. Djali i një punëtori në gurore, ai ishte i njohur që në Mesjetë, se ecte zbathur dhe me rroba të vjetra.
Por Platoni, thotë se Sokrati u frymëzua në elokuenca e Aspasias, e cila për më shumë se një dekadë ishte partnerja e burrështetasit kryesor të Athinës, Perikliut. Me sa duket, një “kurtizane” me arsim të lartë, Aspasia tregohet në pikturë duke numëruar me gishta argumentet e një fjalimi që po mban para Sokratit.
Vështrimi i saj drejtohet tek i riu aristokrat Alcibiades, që ishte shërbëtori i Perikliut dhe ndoshta nipi i madh i Aspasias. Pretendohet se Sokrati, u magjeps nga pamja dhe karizma e Alcibiadesit, dhe (siç tregohet në dialogjet e ‘Simpoziumit’ të Platonit), ai i shpëtoi jetën në Betejën e Potidaeas në vitin 432 Para Erës Sonë.
Biografët e tij kryesorë, Platoni dhe Ksenofoni, e njihnin atë vetëm si një burrë i moshuar. Por Sokrati ishte dikur i ri, dhe një bashkëkohës i drejtpërdrejtë i Aspasias. Dhe nga imazhet e mbijetuara të filozofit, informatat e herëpashershme të dhëna nga biografët e tij, dhe në tekstet e lashta që përgjithësisht janë neglizhuar ose keqinterpretuar, shfaqet një tablo e ndryshme e Sokratit:ajo e një të riu të arsimuar, që u rrit pa qenë më pak trim sa si një ushtar si Alcibiadesi, dhe një dashnor i pasionuar i të dyja gjinive, por jo më pak se sa një mendimtar dhe debatues i madh.
Sokrati ishte i famshëm për thënien: “E vetmja gjë që unë di, është se nuk di asgjë!”. Por Platoni tek ‘Simpoziumi’, thotë se ai e mësoi “të vërtetën rreth dashurisë” nga një grua e zgjuar. Kjo grua quhet aty “Diotima”, dhe tek ‘Simpoziumi’, Sokrati shpjegon doktrinën e saj.
Studiuesit, e kanë hedhur poshtë mundësinë që Diotima të jetë një personazh i trilluar. Ajo është përshkruar në dialog si një priftëreshë, ose parashikuese e fatit tek duart e njerëzve (mantis), dhe ajo mendohet të jetë një figurë alegorike, një vizionare që mund të kishte nxitur një mendimtar si Sokrati të eksploronte misteret e dashurisë.
Por Platoni na jep disa të dhëna të çuditshme për identitetin e Diotimas, të cilat deri më tani nuk janë sqaruar. Në librin tim, unë paraqes dëshmi se “Diotima”, është në të vërtetë një maskë e hollë për Aspasian. Ajo vinte nga një familje e vjetër athinase, e lidhur me atë të Perikliut, e cila ishte vendosur në qytetin grek të Miletit në Ioni (Azia e Vogël), disa dekada më parë.
Kur emigroi në Athinë rreth vitit 450 Para Erës Sonë, ajo ishte rreth 20-vjeçe. Asokohe edhe Sokrati ishte rreth të 20-ave. Disa vjet më vonë, Aspasia u lidh me Perikliun, që ishte atëherë një nga politikanët kryesorë të Athinës, dhe 2 herë më i madh në moshë se ajo.
Por një nxënës i Aristotelit, Klearkusi, shkruan se “para se Aspasia të bëhej partnere e Perikliut, ajo ishte e lidhur me Sokratin”. Kjo përputhet edhe me dëshmi të tjera, se Sokrati ishte pjesë e rrethit të Perikliut qëkur ishte i ri. Pa dyshim, në atë mjedis ai do të njihej edhe me Aspasian.
Por duke qenë se ishte pjesë e kësaj elite të privilegjuar në rininë e vet, çfarë nxiti Sokratin t’i kthehej jetës së filozofit, të shmangte suksesin material, dhe të riorientonte të menduarit filozofik për breza të tërë? Askush nuk ka synuar ndonjëherë të gjurmojë jetën e Sokratit në moshë të hershme, pasi burimet biografike janë të shpërndara dhe fragmentare, dhe duket se nuk kanë shumë interes për mendimin e tij.
Por, meqenëse Sokrati ishte i njohur në Athinë si një filozof që në të 30-at e tij, periudha më e hershme e jetës së tij, është ajo ku ne duhet të kërkojmë dëshmi të ndryshimit të drejtimit të tij, për t’u bërë mendimtari që njohim sot të gjithë. Unë argumentoj se njohja e Sokratit me Aspasian, siguron lidhjen që mungon.
Aspasia ishte gruaja më e zgjuar, dhe më me ndikim e kohës. Partnere e Perikliut për rreth 15 vjet, ajo ishte e kritikuar dhe tallur nga dramaturgët komikë – gazetarët tabloidë të kohës – për ndikimin e saj të madh mbi Perikliun. Si pjesë e rrethit të mendimtarëve, artistëve dhe politikanëve të Perikliut, ajo përshkruhet nga Platoni, Ksenofoni dhe të tjerët si një mësuese e admiruar e elokuencës, si dhe një këshilltare mbi martesat.
Në dialogun e Platonit, Menekseni, ajo përshkruhet se si e mëson Sokratin si të mbajë një fjalim në një funeral, ashtu siç kishte pretenduar se dikur e kishte mësuar edhe vetë Perikliun. Pra, ajo ishte e njohur për aftësitë e saj në të folur, dhe në veçanti mbi dashurinë.
Prandaj a ka gjasa që Sokrati dhe Aspasia, të kenë rënë në dashuri me njëri-tjetrin, kur u takuan dhe biseduan për herë të parë në të njëzetat? Fakti që Platoni i jep Aspasisë një autoritet të konsiderueshëm intelektual mbi Sokratin, ka alarmuar gjeneratat e studiesve, të cilët e kanë hedhur në masë të madhe poshtë skenën tek Menekseni si një parodi të teknikave oratorike. Ndërkohë, ato kanë qenë të lumtur ta konsiderojnë Aspasinë si një “prostitutë”, duke e ilustruar këtë me citimet e poetëve komikë të kohës.
Në rastin më të mirë, studiuesit e kanë ngritur Aspasinë në statusin e hetaeras, një kurtizaneje. Por këtë emërtim, ajo nuk e ka pasur në asnjë rast nga burimet e lashta. Ka ardhur koha t’i rijapim Aspasisë së bukur, dinamike dhe të zgjuar statusin e saj të vërtetë, si një nga themelueset e filozofisë perëndimore./The Conversation – Bota.al