Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, e ka thirrur një mbledhje urgjente të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian pasi deputetët britanikë e refuzuan marrëveshjen e kryeministres May për herë të tretë me radhë.
Ky zyrtar i lartë e organizoi takimin e liderëve të shteteve në Bruksel disa minuta pasi deputetët e Dhomës së Ulët e kundërshtuan marrëveshjen e kryeministres me një shumicë prej 344 votash, pavarësisht paralajmërimit të saj se refuzimi do ta shkatërronte Brexitin.
“Në bazë të refuzimit të marrëveshjes për tërheqje në Dhomën e Ulët, unë kam vendosur ta thërras një mbledhje urgjente, e cila do të mbahet më 10 prill”, shkroi Tusk në Tëitter.
Pas këtij zhvillimi, Britania e Madhe do të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian të paktën deri më 12 prill dhe do të ketë mundësi që ta kërkojë edhe një shtyrje të afatit në rast se kryeministrja sjell një plan të ri.
Përmes një deklarate, Komisioni Evropian ka deklaruar se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja pa marrëveshje tash ka gjasa më të mëdha për të ndodhur. Një zëdhënës i KE-së tha: “Komisioni shpreh keqardhje për votimin negativ që u bë sot në Dhomën e Ulët. I përket Britanisë së Madhe që të vendosë për rrugën që duhet ndjekur para 12 prillit, e cila do të shqyrtohet më pas nga Komisioni Evropian. shkruan “The Guardian”.
“Përfitimet e marrëveshjes për tërheqje, përfshirë periudhën e tranzicionit, në asnjë rrethanë nuk do të vlejnë në rast të largimit pa marrëveshje. Marrëveshjet e vogla sektoriale nuk janë opsion”, shtoi ai.
g.kosovari