Turizmi në Shqipëri nuk është thjesht një industri apo sektor i ekonomisë, por është një potencial i afirmimit të Shqipërisë dhe vlerave tona kombëtare.
Më këto fjalë iu drejtua kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, një grupi gazetarësh italianë në një bashkëbisedim të zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit.
Takimi kishte në fokus rolin e Kuvendit të Shqipërisë në mbështetjen dhe promovimin e turizmit në Shqipëri për afirmimin e vlerave kombëtare.
“Industria e turizmit ka rritur kontributin në ekonominë e vendit si në terma monetare ashtu edhe në terma punësimi, duke u bërë një sektor strategjik për Shqipërinë. Për këtë arsye ka një rritje të fokusit nga Kuvendi, qeveria, donatorë, institucione fiskale dhe kompani private në sektor. Që prej vitit 2015 ka një rritje të dinamikës për përgatitjen e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe rregullator, si parakusht për çdo investim dhe zhvillim të qëndrueshëm”, -deklaroi Balla.
Balla vlerësoi dëshirën dhe qëllimin e mirë të gazetarëve të dhe medies së vendit mik, fqinj dhe partner të Shqipërisë për të promovuar turizmin shqiptar, edhe në kushtet e konkurrencës në treg midis operatorëve turistikë nga të dy brigjet e Adriatikut.
“Por siç kemi thënë shpesh këto vite, ne politikanët dhe ju gazetarët, Adriatiku është një det që na bashkon dhe nuk na ndan. Prandaj le ta përdorim këtë potencial edhe për të konkurruar, por edhe për të krijuar sinergji dhe rritur produktivitetin e shërbimeve turistike”, – tha Balla.
Në fjalën e tij Balla u fokusua në dy çështje. E para, theksoi ai, është kontributi i legjislativit në nxitjen e këtij sektori, si një sektor që përputhet me avantazhet konkurruese dhe krahasimore të Shqipërisë, burimeve natyrore dhe të ekonomisë së saj;
“Së dyti është zhvillimi i turizmit si një soft power e Shqipërisë, si një rrugë për zhvillimin e kulturës, identitetit dhe vlerave kombëtare, fqinjësisë kulturore dhe komunikimit kulturor të shqiptarëve me kulturat e tjera të Mesdheut, Ballkanit, Europës dhe rajoneve të tjera të botës”, theksoi Balla.
Në vitin 2015, shtoi ai, Kuvendi miratoi një ligj të ri kuadër për zhvillimin e turizmit, për të mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt, fuqizimin si sektor i ekonomisë që ndikon në rritjen e punësimit, uljen e varfërisë, zhvillimin e komuniteteve rurale, si edhe mbrojtjen dhe ripërtëritjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisore.
“Ligji ka pësuar disa ndryshime gjatë dy viteve të fundit, për të siguruar mbështetje më të madhe të këtij sektori, duke i vënë në dispozicion pasuri të paluajtshme shtetërore, nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro, dhe për të reflektuar lehtësitë fiskale për këto investitorë, të propozuara në paketat fiskale të viteve të fundit”, – tha Balla.
Ndërkohë, shtoi ai, legjislacioni për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015, parashikon procedura administrative favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes dhe të shërbimeve ndaj investitorëve në turizëm.
Balla bëri të ditur për gazetarët italianë se “për industrinë e turizmit Kuvendi ka miratuar edhe legjislacion favorizues fiskal. Tatimi mbi vlerën e shtuar për shërbimet e ofruara nga markat tregtare të regjistruara ndërkombëtarisht dhe restorantet brenda strukturave akomoduese të certifikuara si agroturizëm u reduktua në 6%”.
Gjithashtu, sipas tij, markat tregtare të regjistruara ndërkombëtarisht janë përjashtuar nga tatimi mbi fitimin, për një periudhë 10-vjeçare, ndërsa për agroturizmin po aplikojmë një normë të reduktuar të tatim fitimit në masën 5 %, për një periudhë 10 vjeçare.
Po ashtu, tha Balla, programi i 100 fshatrave po krijon modelin e suksesit në mbështetjen e agroturizmit dhe zhvillimin e integruar rural të vendit, sipas standardeve më të mira europiane.
“Nëpërmjet këtij programi krijohet një sinergji midis zhvillimit ekonomiko-social, agroturizmit e turizmit rural, natyrës e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore kombëtare.
Turizmi vlerësohet si sektor strategjik, përmes të cilit Shqipëria mund të arrijë rritje të qëndrueshme afatgjatë, të gjelbër e blu, inteligjente dhe gjithëpërfshirëse, konkurrueshmëri dhe produktivitet të lartë, por edhe një imazh të përmirësuar ndërkombëtarisht”, tha Balla.
Në funksion të këtij roli të industrisë së turizmit, Balla u shpreh se “është e nevojshme që t’i japim më shumë mbështetje prirjeve të mëposhtme të sektorit: zgjerimit të grupmoshave të turistëve që vizitojnë Shqipërinë përtej grupmoshën 25-44 vjeç, e cila mbizotëron aktualisht; zgjerimi i origjinës dhe përkatësive kulturore të turistëve që vizitojnë Shqipërinë përtej turistëve nga rajoni. Kjo do të ndihmojë për të përhapur imazhin e Shqipërisë, vlerat dhe kulturën tonë në rajone të tjera të botës dhe ndryshimit të strukturës së industrive dhe shërbimeve turistike, duke synuar mbizotërimin e shërbimeve dhe tërheqjen e turistëve kulturorë, vizitorë të parqeve arkeologjike, muzeve, kalave dhe monumente të tjerë. Prirja pozitive e viteve të fundit në këtë aspekt mund të konsolidohet edhe më tej”.
/a.rada