Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar udhëzimin “Mbi zbatimin e sistemit Bonus-Malus në sigurimin MTPL e brendshme”.
Udhëzimi përcakton kriteret për llogaritjen e skemës universale të sistemit “Bonus-Malus” që do të zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit që ofrojnë produktetin TPL e brendshme në kategoritë B1 (autovetura) dhe B2 (furgona, mikrobuzë).
Sistemi Bonus-Malus është mekanizmi i tarifimit në sigurimin e detyrueshëm MTPL, ku primi i zbatuar është i varur nga historiku i dëmeve/eksperienca e drejtimit të automjetit nga ana e të siguruarit. Ky sistem penalizon ekonomikisht, me rritjen e primit (deri në dyfishimin e tij), të siguruarin përgjegjës për një ose më shumë aksidente të shkaktuara/raportuara gjatë periudhës së sigurimit. Në anën tjetër, e favorizon atë me ulje të çmimit të primit të sigurimit (deri në përgjysmim), nëse gjatë periudhës së konsideruar nuk ka shkaktuar asnjë dëm.
Në aspektin social, shpjegon AMF, me aplikimin e sistemit Bonus-Malus synohet ndërgjegjësimi i publikut për një drejtim sa më të kujdesshëm të automjetit, por edhe rritja e cilësisë së shërbimit të sigurimeve kundrejt konsumatorëve. Sipas AMF-së, nga ana teknike procesi është më transparent dhe përfshirja e formulave matematikore e bën një mekanizëm të drejtë, të besueshëm dhe sipas meritës.
Në bazë të udhëzimit të miratuar nga Bordi i Autoritetit, krijimi i historikut për vënien në zbatim të sistemit fillon më 1 prill 2019. Versioni final i udhëzimit të miratuar nga Bordi i AMF-së ka përfshirë mendimin e të gjitha palëve të interesuara. Përveç historikut të dëmeve (“Bonus- Malus”) faktorë të tjerë risku që ndikojnë direkt në çmimin e primit të sigurimit janë edhe territori ku qarkullon mjeti dhe fuqia motorike e tij.
Udhëzimi, sqaron AMF, u miratua nga Bordi i Autoritetit në pritje të ndryshimeve të plota ligjore me qëllim kryesor mbrojtjen e konsumatorit dhe përfshirjen e praktikave të njohura evropiane edhe në tregun shqiptar të sigurimeve.
Kjo, pasi është verifikuar që në vendet ku është në zbatim sistemi “Bonus-Malus” ka dhënë efekte në uljen e numrit të aksidentëve, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe garantimin e një çmimi më të drejtë në policat e sigurimit TPL.
/a.meta