Tre persona u arrestuan nga Policia e Tiranës për vrasjen e Jurgen Kurtit më 18 mars në Tiranë, por personi që e ka qëlluar me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend, është ende në kërkim.
Shqiptarja.com mëson se i kërkuari është Klodjan Bane. Tre të arrestuarit kanë pasur role të ndryshme në ekzekutimin e Kurtit, ta ndiqnin atë prej dy javësh, duke i hapur terren ekzekutorit për ta qëlluar poshtë hyrjes së pallatit, teksa 26-vjeçari Kurti po ngjitej për në banesën e tij ku jetonte me nënën.
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit, arrestuan Elsi Levendi 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos, Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Autorët dyshohet se e kanë ndjekur për më shumë se dy javë Jurgen Kurtin, ndërsa dyshohet që vrasësit me pagesë të kenë marrë 30 mijë euro për ekzekutimin e tij.
Policia thotë se ka sekuestruar një pistoletë TT, fishekë luftarakë, një sasi të vogël lënde narkotike, 2470 Euro e lekë shqiptare, si dhe 13 aparate celularë.
g.kosovari