Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 nuk ishte e drejtuar kundër popullit të Jugosllavisë, por roli i saj ishte të mbrojë civilët në rajon dhe më gjerë.
Në bombardimet ndaj caqeve jugosllave kanë marrë pjesë 19 vende të aleancës dhe ato kanë zgjatur 78 ditë.
“Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, por ne mund të shkojmë më tej dhe kjo është ajo që NATO dhe Serbia po bëjnë sot si partnerë”, ka thënë Stoltenberg për median serbe Tanjug.
Ndryshe, në 20 vjetorin e sulmeve të NATO-s, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg.
Në letrën e Haradinajt mes tjerash thuhet se populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s.
“Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, ka shkruar Haradinaj.
g.kosovari